Peripecitë për të kaluar detin Mesdhe me varka për të mbërritur në Itali, nuk janë të vetmet që iu desh të kalonin një grup prej 25 emigrantësh.
Teksa ishin duke u transferuar nga Porto Empedocle në qendrat e pritjes në Piemonte, autobusi me të cilin ata udhëtonin u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë.
Drejtuesit e të dy mjeteve të përshirë në aksident humbën jetën dhe të paktën 25 emigrantë mbetën të plagosur.
Të dy viktimat janë italianë, ndërsa raportohet se një prej tyre është hedhur nga kabina në momentin e përplasjes.
Sipas mediave italiane aksidenti ndodhi përgjatë autostradës A1, pranë Fiano Romano (Romë) dhe disa prej emigrantëve janë në gjendje të rëndë.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 02:00. Emigrantët, rreth pesëdhjetë, ishin larguar nga Porto Empedocle në orën 10 të mëngjesit të së enjtes.
Emigrantët e plagosur, të cilët zbarkuan në Lampedusa ditët e fundit, u transportuan në spitale të ndryshme të zonës.