Blinken dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Autorët të dalin para drejtësisë

KOSOVA


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dënuar fuqishëm sulmet e djeshme ndaj policisë në veri të Kosovës duke u bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut.

Blinken thekson se autorët duhet të vihen përpara përgjegjësisë ndërsa shton se është duke u bërë një hetim transparent.

“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate.

Ne u bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet, dhe menjëherë të punojnë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për shtensionimin e situatës, të ofrojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.

Kryediplomatit amerikan theksoi, Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

“SHBA-ja njeh dhe respekton rolin e Policisë së Kosovës si reaguesja e parë për situata të emergjencës dhe krizave”, tha Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni e vlerëson koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe atë të NATO-s, KFOR, “veçmas për të ofruar siguri për civilët në vendngjarje”, duke shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta monitorojë situatën.

Policia e Kosovës u sulmua dje nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën. Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës dhe gjatë ditës u përlesh me Policinë e Kosovës ku u vranë 3 serbë ndërsa u arrestuan 6.



Skip to toolbar