Kuvendi zhvillon këtë të enjte mocion me debat për Kosovën për draft-rezolutën për ngjarjen e rëndë të 24 Shtatorit në Banjskë ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën 3 të tjerë. Kryeministri Edi Rama, që në nisje të fjalës tha se do të fliste troç të vërtetat e tij për Kosovën.
Mes të tjerash ai u ndal edhe tek moslinjëzimi i Shqipërisë me deklaratën e BE. Rama theksoi se ndonëse deklarata ishte miratuar përpara ngjarjeve në veri, Shqipëria vendosi që të mos linjëzohej, gjë që sipas kryeministrit ndodhte për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit.
Rama shpjegoi rëndësinë e këtij veprimi, ndërsa theksoi se “Kosova duhet me patjetër të reflektojë për kritikat dhe kërkesat e Brukselit dhe Washingtonit“
“Si reagoi Shqipëria, përmes qeverisë shqiptare dhe asaj ngjarje kriminale, sa tragjike për humbjen e jetës së një shërbëtori të ndershëm dhe krejt të pafajshëm të Kosovës, aq dhe domethënëse për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në veriun e Kosovës. Për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e BE. Ajo deklaratë ishte kryekëput për Kosovën dhe detyrat e saj në procesin e dialogut dhe nuk kishte asnjë gërmë për Serbinë. Edhe pse e vërteta është se aprovimi i saj nga 27 vendet anëtare përkoi proceduralisht menjëherë pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së efektivit dhe shpalljen e zisë në Beograd për kriminelët e vrarë dhe kjo nuk kishte si të pasqyrohej në deklaratën e përpiluar dhe aprovuar para ngjarjes, për ne, që e theksoj se nuk kishim asnjë rezervë për deklaratën në vetvete, sepse Kosova duhet me patjetër të reflektojë për kritikat dhe kërkesat e Brukselit dhe Washingtonit, ishte e papranueshme që deklarata të dilte, sikur asgjë tjetër nuk kishte ndodhur. Kishte ndodhur jo diçka tjetër, për një gjë shumë e madhe. Ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, qysh pas vitit 1999. E më keq, ngjarja kriminale ishte pasuar nga një akt i papranueshëm zyrtar, shpallje zie në Beograd. Ndaj ne ua bëmë të qartë miqve në Bruksel se për t’u linjëzuar me atë deklaratë, që do ishte krejt normale nëse agresioni kriminal i Banjskës nuk do kishte ndodhur, prisnin një deklaratë të dytë të BE ku të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan se kohët dhe procedurat e BE nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë, sipas nesh e domosdoshme, në të njëjtën kohë me të parën. Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të moslinjëzimit me deklaratën e parë. Për herë të parë në marrëdhëniet me Bashkimin Europian”.
Rama shpjegon dhe rëndësinë e këtij veprimi në raport me marrëdhëniet me BE.
“Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë ata që duan ta dëgjojnë, se një moslinjëzim me deklaratën e BE-së nuk është një fjalë goje, për një vend kandidat, që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhshme të nisë me një prej pjesëve të negociatave që lidhet me politikën e jashtme. Nuk është as një akt heroizmi natyrisht, por ai mbetet një akt politik kundërshtie në dokumentet e marrëdhënieve tona me Brukselin, e të mos harrojë askush kur këtë akt e bën Shqipëria, zëri i së cilës sot është zëri më i dëgjuar dhe më i respektuar kur flitet për rajonin dhe marrëdhënien Kosovë-Serbi, atëherë kjo që bëmë ishte më shumë sesa një deklarim i papritur i Shqipërisë, ishte manifestim pakënaqësie dhe mosdakordësie konstruktive për të dhënë një mesazh të qartë në peshën e rëndë të asaj ngjarje, në rrugën e përpjekjeve të përbashkëta për normalizim përmes dialogut dhe bashkëpunimit rajonal”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend se homologun kosovar Albin Kurti e ka më shumë mik se sa Ramush Haradinajn.
“Unë Albin Kurtin e kam mik më shumë se sa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të”, theksoi fillimisht kryeqeveritari.
Ai shtoi se me kryeministrin aktual të Kosovës ka “divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar”.
Prandaj, vërejti Rama, marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka se si më pengon sot, as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat e lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua si person.
“Por gjithashtu fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka sesi më pengon që të shpreh këtu, publikisht, neverinë time të madhe, për një video propagandistike të shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë nga trolls-at e tru-shpëlarjes kinse patriotike!”, deklaroi kryeqeveritari.
Sipas tij, Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër që ka parë “gjakun në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste” dhe si çdo luftëtar që ka fituar “luftën me armë të vërteta me Serbinë nuk ka sesi ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në një koktej krejt të zakonshëm”.
Kryeministri shqiptar ravijëzoi në përmbyllje se “kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e hedh gurin pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen”.