Policia ka arrestuar 16-vjeçarin që goditi mësuesen me karrige në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës “Hydajet Lezha”.
“Në vijim të informacionit të dhënë paraditen e sotme, sipas të cilit në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar kishte goditur me send të fortë (karrige), mësuesen M. P., ju informojmë se:
Në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.