Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është paraqitur paraditen e së mërkurës në Prokurorinë e Tiranës për t’u njohur me akuzën për lobimin e PD-së me paratë ruse në SHBA. Afati i fundit i vënë nga prokuroria ishte data 20 qershor, pra dita e enjte dhe më pas ai do të merrej me forcë. Por kreu i PD-së vendosi të shkonte vetë dhe pasi u njoh me akuzën tha për mediat se prokuroria nuk ka asnjë provë kundër tij.
Basha gjithashtu kërcënoi qeverinë se do të publikohen nesër në BILD të tjera përgjime kundër saj.
“Arsyeja e vetme që unë jam këtu është që të shërbej si shpërqëndrim për ju për skandalet nga Bild dhe ato që do plasin nesër. Kjo është arsyeja e vetme. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe, apo shtesë që nga 25 marsi kur unë isha këtu herën e fundit. Ma konfirmuan këtë zyrtarisht. Kjo akuzë është e montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës.
U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, asnjë transaksion parash për pastrim parash, nuk ka asnjë rus të vetëm. Është akuzë e formuluar me qëllim për të shpërqëndruar shqiptarët nga skandalet e BILD-it dhe skandalet që do plasin nesër po nga Bildi”, tha Basha pasi doli nga prokuroria.
Basha së bashku me dy zyrtarë të tjerë të PD-së, akuzohen për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.
Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.