Ndryshe nga sa premtoi kreu i opozitës para pak ditësh se “Shqipëria nuk do të digjet”, të mërkurën opozita ka ndërmarrë një aksion të fortë në të gjitha bashkitë e djathta duke sulmuar KZAZ-të me militantë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, ku janë përplasur me forcat e policisë, që kanë në mbrojtje këto ambiente. Nga këto përplasje ka pasur edhe disa të lënduar ndërkohë që në disa raste është përdorur forca dhe gazi lotsjellës nga policia për të shpërndarë turmat e paligjshme.
Reagimi i bashkive të tjera të djathta ka ardhur pas përplasjeve të së martës në Shkodër dhe në Tropojë, ku të mërkurën, i janë bashkuar Kamza, Kukësi, Burreli, Pogradeci, Bilishti, Çorovoda, Gjirokastra, ndërsa kanë paralajmëruar Kavaja, Lezha dhe bashki të tjera të drejtuara nga opozita.
Vau i Dejës
Ndryshe nga situatat e krijuara në KZAZ-të e tjera që ndodhen në godinat nën administrimin e bashkive opozitare, në Vaun e Dejës nuk është shkaktuar dhunë apo incidente. Përfaqësuesi i Bashkisë i është drejtuar kësaj KZAZ, që mbrohet nga policia e rendit, për të parë nëse ultimatumi i dhënë të martën nga Bashkia e Vaut të Dejës ishte zbatuar. Gjatë diskutimit me policinë, përfaqësuesi i bashkisë, Gentjan Ndoj tha se nuk ndodhet këtu për të dëmtuar godinë, por për të parë nëse urdhri i bashkisë ishte zbatuar. “Mos u shqetësoni ne nuk kemi ardhur për të bërë luftë me ju, mos u përgatitni për të vënë maska, se këto janë ambientet tona ne do i ruajmë më shumë se ju. Nuk kemi punë me policinë e Shtetit.” Ndoj tha se godina duhet të lirohet, pasi zgjedhje më 30 qershor nuk ka dhe se bashkia është në zbatim të dekretit të presidentit.
Bashkia e Vaut të Dejës iu drejtuar të martën me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i jepte një ultimatum që të lironte KZAZ numër 6, që ndodhet në ambientet e shkollës profesionale ‘Ndre Mjeda’ para orës 16:00 të ditës së mërkurë.
Kamëz
Përplasjet e para janë shënuar në Kamëz, ku policia është detyruar të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Nga kjo ngjarje mbeti pa ndjenja edhe një punonjës i policisë bashkiake, i cili është dërguar në spital. Nënkryetari i bashkisë që drejtohet nga Xhelal Mziu, Vendim Demaj tha se nëse duan që kjo situatë të përfundojë atëherë ministri i Brendshëm të arrestojë Presidentin Meta, por për sa kohë ai është në detyrë dhe ka një dekret, ai u shpreh se do të bëjnë çmos për të mos lejuar që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor.
Kukës
Po ashtu në Kukës, në KZAZ-në nr. 11, e cila është vendosur në ambientet e një palestre, militantë të PD-së në bashki dhe simpatizantë kanë tentuar të hyjnë me forcë për të nxjerrë nga KZAZ materialet zgjedhore. Militantët kanë thyer edhe xhamat e palestrës. Ka pasur përplasje mes tyre dhe forcave të rendit, por situata më e rëndë është bërë kur militantët kanë marrë një kamionçinë dhe me të kërcënojnë të hapin me dhunë derën e KZAZ-së. Është tentuar të shqyhet dera përmes një kabllo për ta lidhur me kamionçinën. Në këto situata me përplasje të forta, policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hedhur gaz lotsjellës. Debate të forta ka pasur mes policisë bashkiake dhe asaj të rendit, pasi ata kanë mbërritur para KZAZ me dekretin e Metës të botuar në Fletoren zyrtare.
Pas tensioneve dhe situatës në Kukës ku zyrtarë të Bashkisë dhe militantë të PD-së, dogjën e shkatërruan KZAZ-në numër 11 të vendosur në një palestër në gjimnazin e Kukësit, policia e Rendit pas një marrëveshje me policinë bashkiake, kanë larguar materialet zgjedhore pa dhunë duke i transportuar me një furgon të policisë. Materialet zgjedhore janë kryesisht mjetet e nevojshme për të mundësuar votimin e fshehtë në një minidhomë kartoni për qytetarët.
Klos
Militantët e PD-së janë futur brenda ambienteve të KZAZ-së Nr. 17 në Klos duke hedhur materialet zgjedhore nga dritarja, ndërsa më pas u vendosën flakën nën thirrjet ‘Rama ik’, Nuk ka zgjedhje pa PD-në’. Policia nuk ka arritur që t’i ndalojë militantët e opozitës.
Çorovodë
Në Çorovodë janë shënuar përplasje në KZAZ-në nr. 66. Organizatorët e drejtuar nga LSI-ja, përfaqësuesi i së cilës drejton edhe bashkinë, u mblodhën në Çorovodë, në sallën e kinemasë të pallatin të kulturës që mban emrin Riza Cerova duke tentuar që të futen me forcë, ndërsa janë ndaluar nga policia e rendit, e cila është përplasur me militantët e LSI-së.
Bilisht
Në Bilisht gjithashtu janë shënuar incidente. Nënkryetari i bashkisë Ylli Taho i ka kërkuar shefit të komisariatit të lirojë ambientet e KZAZ-së 70. Ndërsa shefi i komisariatit Fejzollari u shpreh se nuk mund të hyni në objekt. “Është objekt i rëndësisë së veçantë. Nuk kam njoftim nga KQZ për anulimin e zgjedhjeve. Unë di që zgjedhjet do bëhen më 30 qershor, ju thoni që nuk do bëhen. Nuk keni për të hyrë”, u shpreh shefi i komisariatit. Anëtarët e PD dhe simpatizantët kanë tentuar që të hyjnë në ambientet e KZAZ, por që nuk janë lejuar nga policia.
Pogradec
Përplasje janë shënuar edhe në Pogradec midis militantëve të PD-së që kanë tentuar që të futen në ambientet e KZAZ-së 67 dhe drejtuesve të policisë. Klevis Balliu ndodhet në Pogradec, ndërsa ka deklaruar se “kërkojmë të largohen materialet nga KZAZ-ja. Është shkelje ligji. Nuk ka zgjedhje deri në vendosjen e një date tjetër për zgjedhjet. Nuk është legjitime”, deklaroi ai.
Burrel
Në Burrel, në KZAZ-në numër 16 që ndodhet në Pallatin e Sportit, punonjësit e policisë bashkiake dhe militantë të Partisë Demokratike kanë tentuar të mësyjnë brenda KZAZ-së. Policia e Rendit në mbrojtje të KZAZ-së brenda së cilës ka materiale zgjedhore, kanë hedhur gaz lotsjellës. Situata ka qenë mjaft e tensionuar mes militantëve dhe policisë, ku janë të pranishëm dhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë nisur shoqërimet e para të personave më aktivë në këto situata. Mes tyre edhe kryetari i PD-se së Matit, Arjan Leka. Ka pasur tentativë të militantëve të PD-së për të hapur me forcë derën e KZAZ-së dhe për të shkatërruar materialet zgjedhore, megjithëse janë frenuar nga forcat e rendit. Sërish më vonë, zyrtarë të Bashkisë së Matit kanë mësyrë në Pallatin e Sportit Ferit Hysa ku kanë marrë materialet zgjedhore brenda KZAZ-së dhe i kanë vënë flakën. PD deklaroi se nga përplasjet një person është plagosur në Burrel. Ai quhet Alfred Lika, i cili është vëllai i Kryetarit të PD Burrel.
Gjirokastër
Debat dhe tensione ka pasur edhe në Gjirokastër. Policia nuk ka lejuar përfaqësuesit e PD dhe LSI-së që të futen në ambientet e KZAZ nr. 78 që është vendosur te Pallati i Sportit për ta liruar. Nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër, Aurel Lapa kërkon nga kryetari i KZAZ-së Roland Skëndi lirimin e ambienteve.
“Policia deklaron se njeh KQZ-në dhe jo Presidentin. Jemi në momentet e puçit institucional. Do të rezistojmë. Nuk pretendojmë që të ndodhë ajo që ndodh në trevat e tjera, pasi jemi në Gjirokastrën e kulturës” tha ai.
Dropull
Debate dhe tensione janë shënuar edhe në KZAZ-në nr. 80 në Jorgucat, ku përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së kanë kërkuar lirimin e ambienteve nga anëtarët e KZAZ-së. Por kryetari i KZAZ-së nuk ka pranuar duke shkaktuar debate me përfaqësuesit politikë. Ahilea Deçka, kryetar i bashkisë së Dropullit i ka kërkuar kryetarit të KZAZ-së që të tregojë dokumentin ku është bazuar që është vendosur në atë godinë, pasi sipas tij ekziston një urdhër për gjetjen e një ambienti nga bashkia.
Delvinë
Tensione ka pasur edhe në Delvinë, ku përfaqësuesit e LSI mësynë KZAZ-në nr. 87. Pas tensioneve dhe shtyrjeve në Delvinë në KZAZ-në nr. 87 mes punonjësve të bashkisë që drejtohet nga përfaqësuesi i LSI-së Rigels Balili e militantëve të PD-së me policinë, opozitarët i kanë lënë afat deri nesër në orën 16:00 që të lirojnë ambientet në të kundërt situata do të përshkallëzohet, tha kryetari i PD-së, Hari Imeri. “Nuk trembemi nga banda e Edi Rames”, deklaroi ai.
Bashkitë e tjera
Ndërkaq, këto bashki nuk janë të vetmet, pasi pritet që në orët në vijim t’i bashkohen edhe bashki të tjera të opozitës, siç është Lezha dhe Kavaja. Bashkia e Kavajës i ka dërguar një kërkesë zyrtare KQZ-së, Ministrit të Brendshëm dhe Prefektit të qarkut Tiranë që në 14 qershor për të ndërprerë të gjitha veprimet dhe afishimin e listave të zgjedhësve në KZAZ nr.42. Po ashtu ka vepruar që dje edhe Bashkia e Lezhës dhe i njëjti skenar po ndiqet nga të gjitha bashkitë e opozitës. Edhe Bashkia e Mallakastrës ka bërë kërkesë për largimin e materilave zgjedhore. Kërkesë e bërë i drejtohet kryeministrit dhe presidentit. Kryetari i Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj tha se kërkesa i është drejtuar njëkohësisht kryeministrit dhe presidentit të Republikës. Numri një i Bashkisë së Mallakastrës theksoi se është detyrim që të zbatohet dekreti i presidentit. Kapllanaj nënvizoi se po përgatitet kallëzim penal për këtë çështje.