Nga Sokol Balla
Ishte dita e fundit e majit dhe ndërsa prisja avionin e British për t’u nisur për Londër, po angazhohesha në një bisedë të gjallëruar me kamerierin në Terminalin Privat. Jo për finalen e Championsku po nisesha, por sigurisht për Europianin. Në sallën thuajse bosh – veç një zonjë ishte ulur pranë vedratës së xhamtë te Terminalit – dëgjohej vetëm zëri im që fliste për një temë popullore: rikthimin e Brojës në listën e Silvinjos për Europianin. Unë shprehja entuziazmin, pasi një moment pata menduar se shtatlarti Shkodran, mund të lihej jashtë për dy arsye: e para, kondicioni fizik për shkak të dëmtimit të gjatë, e dyta për shkak të pak minutave në këmbët e tij, që prej rikuperimit. Dhe këtu te arsyeja e dytë, po argumentoja se nuk ishte faji i Silvinjos. Se vërtet Broja “lindi” te Chelsea, por se fazën e tij të shkëlqimit e pati te Southampton, kur u huazua, shënoi 11 gola dhe mbajti skuadrën jugore angleze, ne Premier League. Po përse u largua, më pyeti kamerieri. “Nuk e di, por mendoj se duhet të jetë i ngjashëm me rastin e Adnan Januzajt”, i thashë.
I riu Kosovar ishte një mesfushor I shkëlqyer. I lindur në Belgjikë, por i rritur në Angli, ai zotëronte dy pasaportat europiane. Për shkak të kombësisë dhe origjinës, fare kollaj merr pasaportat e Kosovës dhe Shqipërisë. Kishte luajtur me përfaqësueset e të rinjve të Anglisë nëse nuk gaboj edhe me Under 21 të Belgjikës. Federata angleze e donte, ndërsa Federata Shqiptare i ishte vënë pas prej kohësh. Por babai i Januzajt, që ishte dhe menaxheri I tij, zgjodhi Belgjikën. Një zgjedhje që rezultoi fatale për Januzajn.
Belgjika po shijonte kulmin e brezit të saj më të shkëlqyer, që prej atij të viteve 80, kur arritën majat e botës. Courtois, Lukaku, por më shumë se të gjithë De Bruyne. Kush nuk do donte të shihte djalin e tij të luante mes këtyre yjeve? Gabim, i thashë unë kamerierit. Trajneri Martinez, e merr Januzajn në Botërorin rus të 2018, dhe e aktivizon në një ndeshje. Vetëm 5 minuta. Më pas, asgjë. Asnjë ndeshje tjetër, asnjë thirrje në Kombëtaren belge, e cila kishte me shumicë yje ndërsa Januzaj luante në një pozicion të pafat: atë të De Bryune. Shqipëria nuk kishte një mesfushor të atij pozicioni, që në kohën e super yllit Bledar Kola dhe ishte e dëshpëruar për talentin e Januzajt. Por ndërsa Shqipëria humbi një lojtar, Januzaj u shua si një meteorit që shkëlqen fort e mu për këtë, digjet shpejt. “Por në Angli, brezi I Brojës është edhe më i frikshëm”, thotë kamerieri. Një arsye më shumë, i them unë. Duke futur në lojë rastin e Raheem Sterling. Xhamajkani, i ardhur me nënën e tij në Angli si emigrant, bie në sy të skautistëve të talenteve. Të cilët I ofrojnë një kontratë që 11 vjeç, me klubin e Arsenal. Sterling tundohet fort. Arsenal është ëndrra e çdo të riu në futboll, për shkak të Akademisë së shkëlqyer që ka. Aty e nisi dhe David Beckham, kur po në moshën 11 vjeç u pikas nga Sir Alex Ferguson. Por nëna emigrante xhamajkane, me instinktin e fortë të mbijetesës, e frenon entuziazmin e të birit. Dhe e këshillon të zgjedhë ofertën e një tjetër klubi anglez të Londrës, me të shkuar të lavdishme, por tashmë në katet e fundit të mbijetesës: Queens Park Rangers. Raheem Sterling (siç tregon vetë në autobiografinë e tij) nuk i beson veshëve: nëna e tij kërkon t’i frenojë karrierën? “Jo biri im. Por Arsenal është vend ujqërish. Për një vend në skuadër, pretendojnë 1 mijë vetë. Ndërsa te QPR, nuk do kesh këtë. Shkëlqe në QPR e prej andej është më lehtë të biesh në sytë e Arsenal, Chelsea apo Manchester”.
Dhe kështu ndodhi. Karriera e Sterling njohu vetëm rritje. Jo falë vetëm talentit të tij. Por edhe menaxhimit të shkëlqyer të së ëmës së tij. Një gjë që nuk e bëri dot babai i Januzajt. Dhe frika ime, i thoja kamerierit, është se familja e Armandos, që e menaxhon vetë të birin, bëri të njëjtin gabim me të. “Ai duhet të vazhdonte me Southampton. Sot po paguan kostot e një lëvizjeje të gabuar. Chelsea është një ekip ëndrrash, por Broja është bir emigrantësh. Dhe unë e di si të shohin anglezët. Për ta, ai është një shqiptar dhe jo anglez. Do jetë gjithmonë një zgjedhje e dytë dhe në fund ata do ta nxjerrin në shitje”. Në fakt kështu po ndodh, ndërsa huazimi i dytë te Fulham, rezultoi i pasuksesshëm dhe I pafat. Një sulmues Brazilian, i cili nuk kishte shënuar asnjë gol, befas, me mbërritjen e Brojës, u gjallërua dhe filloi të tundte rrjetën, duke e lënë Armandon në stol. Logjika ime dhe faktet, më jepnin të drejtë. Edhe zonja, personi i vetëm në terminal, filloi të mos dukej me aq indiferente. Biseda do kishte vazhduar me kamerierin, por stjuardesat na lajmëruan se duhet të futeshim në vanin limuzinë, për të shkuar drejt avionit. Biseda me kamerierin u ndërpre dhe unë dhe zonja u futëm në të njëjtin furgon. Përballë meje u ul ajo, hoqi syzet Burberry dhe më dha dorën: “Përshëndetje, unë jam menaxherja e Armando Brojës. Jam nëna e tij”.
Fati luan lojëra të çuditshme, por kjo ishte padyshim më e vështira. E vetmja fjali që gjeta (dhe që ishte e vërtetë) ishte ajo se unë isha fans i tij. Se kisha blerë bluzën e kombëtares, atë të Southampton. Dhe në fund edhe të Chelsea, i thash me humor të sikletshëm. Pasi e dija që në tre orët fluturim drejt Londrës, do përballesha me kërkesën e llogarisë, nga një nënë që e mbronte Brojën dyfish: si nënë dhe si menaxhere. Në ulje në avion, loja tjetër e fatit: të ulur bashkë në të njëjtën radhë. Parashikova furtunë: “Si ishte puna e Armandos?”, më pyeti e buzëqeshur. Por mua mu duk si shtrëngim dhëmbësh.
I shpjegova për të, dhe për faktin se Shqipërisë rrallë mund t’ivijë një sulmues i tillë race, i cili është i rrallë edhe në botë. Nuk gjeja dot as edhe në Brazil një sulmues që sheh vetëm para. Nëse mund të konsiderohej i tillë, në fushë lojtar aktiv ishte Christiano Ronaldo, por edhe ai 39 vjeç, në një sfidë më kohën dhe limitet fizike. Por zonja filloi të më tregonte një histori të kithët. Sesi e re vetëm 22 vjeç, se bashku me bashkëshortin 24, kishin mbërritur në Angli. Më foli për vështirësitë e jetës me tre fëmijë të vegjël, dy vajza dhe Armandon. Më tregoi sesi çdo ditë çonte të birin që vdiste për futboll në zonën e stërvitjes, dhe ankthin që kishte në kthimin natën, që kalonte mes një parku të errët, ku ajo kalonte përdore me të birin. Të birin që dy prindërit e kishin rritur me ankthin e rënies në gabimet e moshës, cigaren, alkoolin e për më keq drogën. “Jam e lumtur, që kam rritur një djalë perfekt. Me vetëm një defekt: ai jeton vetëm me futbollin”
E më pas filloi të më shpjegonte, përse Chelsea. “Kalonim çdo ditë anash Stamford Bridge”. Por ëndrra për të luajtur në këtë teatër ëndrrash, kaloi nga Holanda. Atje ku Broja shkëlqeu shumë i ri. E më pas, oferta për në Londër. Te Chelsea. “Blemë shtëpi, pranë stadiumit, e tani Armandon e çonim në këmbë në stërvitje”. Ajo nuk mungoi kurrë, megjithëse kushtet shëndetësore herë pas here, ja vështirësonin këtë. Por ajo nuk u dorëzua kurrë, deri ditën kur Armando Broja veshi bluzën e Chelsea e shkëlqeu që në ditët e para. Për familjen nga Kopliku që kishte lënë gjithçka në Shqipëri (ku jetonim shumë mirë, më tha), ishte dita e shpagimit, për vuajtjet, lodhjet, sakrificat dhe rreziqet. “Gjatë stërvitjes, njoha familjarë të lojtarëve. Janë njerëz të mirë, disa prej tyre më shohin me admirim, pasi te Armando shohin shembullin sesi djemtë e tyre, britanikë, të dhënë pas pijes dhe veseve, nuk u bënë kurrë”. Jamie Redknapp, ish mesfushori i shkëlqyer i Liverpool dhe admirues i Brojës, është “kojshia” I tyre I ri. Një ditë e mori Armandon dhe i vuri në celular një grua që i foli shqip. “Është dadoja e vajzës sime, I tha. “Sa më tha që është shqiptare, e mora menjëherë”. Brojanuk është vetëm shembull për nënat angleze të djemve të tyre “harapçinj”. Është shqiptari që ndërron perceptimin negative – shpesh të pamerituar – të bashkatdhetarëve të tij. Eshtë shqiptari që luan me Chelsea. Është Armando ynë.
Sot në Stamford Bridge një prej lozhave VIP, është e familjes Broja. Të njëjtët që dikur, jashtë mureve të stadiumit, ecnin shpejt mes kohës së ftohtë, shiut të ftohtë brisk dhe nxitonin të fitonin kohën e humbur të një brezi të tërë, të lindur pas vdekjes së një shteti dhe frikës së panjohurës. Por nëna e Armandosthotë se shumë shpejt do ta kthejnë mbrapsht: “Shumë para të harxhuara kot. Edhe sot në business udhëtova, por nuk e bëj shpesh. Më duket harxhim i kotë për dy orë e gjysmë fluturim” më thotë, si për të ma shtuar edhe më shumë turpërimin tim, përballë kësaj zonje që është ca vite më e re se unë, porse më kujton aq shumë nënën time. E ndërsa i drejtohemi daljes së aeroportit, më jep dorën: “Gëzohem që u njohëm”. Rivendosi syzet Burrbery dhe u largua. Siç edhe erdhi: natyrshëm. Ndahemi në Heathrow, aty ku në 1991, ndërsa shkonte transit në Islandë për eliminatoret e Europianit 1992, kombëtarja regjistroi një prej incidenteve më të turpshëm: Disa prej lojtarëve tanë, u kapën duke vjedhur në Duty Free, e ca prej tyre, u ndaluan. Ishte koha kur disa mendojnë që karakteri përcaktohej nga varfëria. Ndërsa unë sapo isha ndarë me personin që më provoi të kundërtën. Varfëria është si një sëmundje e rëndë, por jo e pashërueshme. Varet se cilën rrugë zgjedh të ndjekësh.
Kur dola, u kujtova që nuk I kisha mësuar as emrin. Por e pashë duke brohoritur pak ditë më parë, kur I biri i saj Armando Brojaju rikthye golit. Me stilin e tij të pagabueshëm. “Kur shpërthen djathtas, mjaft t’I hapi rrugës vetes me supin e majtas e hedhur topin para. Aty është unstoppable”, më tha. Me sytë e përlotur më tregoi në bisedën në avion, përjetimin e dëmtimit në gju dhe periudhën e gjatë të rikuperimit. “Por në Europian, do jetë dita e tij. Aty do të shpërthejë e do t’u tregojë të gjithëve kush është Armando Broja”. Vetë Armandon e dëgjova të fliste njëlloj, pasi shënoi golin ndaj Lihtenshtein. Duket vazhdon e dëgjon të ëmën, ashtu si në vitet kur i vogël, ajo e merrte përdore dhe e çonte në stërvitje. Për t’u bërë më pas menaxherja e suksesit të tij. Si e ëma e Raheem Stërling. Befas e kuptova se krahasimi me Januzajn, nuk qëndronte, tani që njoha menaxheren e Armando Brojës. Në distancë, dhe pa replika. E kuptova se e kisha humbur debatin me të. Me siguri do e shoh sonte në Dortmund, ku ajo me ankth por me besim do presë shpërthimine djalit të saj. Ndërsa ne 50 mijë të tjerët, shkëlqimin e kombëtares, së një Shqipërie tjetër: atë të Armando Brojës, djalit të emigrantëve shqiptarë, që gjetën ëndrrën e tyre në fushën e Stamford Bridge.
Shkruar në 15 qershor 2005, në trenin ICE, me numër 1224, Munich – Dortmund.