Një konflikt për motive të dobëta ka lënë të vdekur dy banorë të fshatit Kurjan të Roskovecit mesditën e kësaj të marte. Lavdimir dhe Gramos Kurtaj u vranë me armë zjarri automatike nga shtetasi Altin Kuka.
Autori 49-vjeçar i ngjarjes së rëndë u vetëdorëzua në polici pak pas ngjarjes.
Teksa grupi hetimor ka rrethuar vendin ku ndodhi vrasja, Drejtori i policisë së Fierit, Shpëtim Hasanaliaj doli në një deklaratë për mediat duke dhënë sqarime për rastin.
Ai tha se motivi për ngjarjen e rëndë është bërë një grindje mes viktimave dhe djalit të autorit.
“Rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku shtetasi Altin Kuka, banues në Fier dyshohet si autori i ngjarjes së ndodhur, duke vrarë me armë zjarri automatik dy shtetas, xhaxha dhe nip, të cilët kanë ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Pas kryerjes së këtij akti kriminal shtetasi Altin Kuka është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit. Dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, për shkak të një grindje që ka ndodhur mes djalit të tij dhe dy viktimave”, tha Hasanaliaj.