Numërimi mbrapsht ka nisur. “Topi i Artë” do të njohë sot në mbrëmje pronarin e ri. Të gjithë prozhektorët drejtohen nga teatri “Chatelet” i Parisit, ku nga ora 20:45 do të nisë ceremonia për trofeun më të rëndësishëm individual të futbollit.
Për herë të parë në dy dekadat e fundit, jashtë finalistëve janë Lionel Mesi dhe Cristiano Ronaldo. Ky detaj, shtuar edhe vendimit të organizatorëve të “France Football” për të mos njoftuar fituesin pëpara kohe, ka bërë që suspanca të zgjatet deri në dhënien e çmimit.
Gjithsesi, të gjitha parashikimet shkojnë te një emër. Ai është Vinicius Junior, sulmuesi i Real Madrid që shihet si pretendenti kryesor. Braziliani fitoi Champions, La Liga e Superkupën e Spanjës, duke ndihmuar skuadrën “los blankos” me 26 gola e 12 asist në sezonin e fundit.
Duke qëndruar në këtë parashikime, Vini Junior ka mundur në një garë shumë të fortë, Rodri, mesfushorin e Manchester City, që fitoi gjithçka në Angli, ndërsa u shpall edhe kampion I Europës. Një vend nderi, si i treti pritet të marrë Jude Bellingham.
Në ceremoninë e Parisit do të zbulohen edhe trofetë e tjerë të rëndësishëm individual të futbollit.
Karlo Ançeloti shihet si favorit në garën për “Trajnerin më të Mirë”, ndërsa nuk ka dyshime në lidhje me trofeun “Copa” për lojtarin e ri më të mirë. Ai do të shkojë për Lamin Yamal, talentin spanjoll të Barcelonës.
Po ashtu, favorite kryesore për “Topin e Artë” në futbollin për femra është Aitana Bonmati, futbolliste e Barcelonës dhe kampione bote me kombëtaren e Spanjës, e cila do të merrte trofeun për herë të dytë radhazi.