“Doktori Shpirtlig”: Ushtarëve ukrainas u fanitet tmerri i një burgu rus

BOTA


Sikurse shumë ushtarë të tjerë ukrainas të mbajtur në Qendrën Korrektuese Nr. 10 në rajonin e Mordovisë në Rusi, Pavlo Afisov tha se u përball me abuzime të tmerrshme fizike dhe psikologjike: u rrah keq sapo mbërriti, dhe në raste të tjera të panumërta gjatë më shumë se 18 muajve në burg, u detyrua të zvarritej në dyshemenë e qelisë ndërsa ia lëshuan qentë përmbi dhe ishte pranë vdekjes kur rojat ia futën kokën në një qese plehrash.

“Është shumë e frikshme dhe e tmerrshme, sepse në atë çast e humb çdo lidhje me botën e jashtme dhe nis të mbytesh. Përpiqesh ta heqësh qesen me duar, por ata të godasin në duar, të shokojnë me paralizues elektrik”, tha për Shërbimin ukrainas të REL-it Afisov, një oficer i këmbësorisë detare i kapur gjatë rrethimit rus të Mariupolit në vitin 2022 dhe i kthyer në shtëpi përmes një shkëmbimi të burgosurish në vitin 2024. “Deri atëherë mendoja se nuk mund të bëhej më keq”, tha Afisov, 26 vjeç.

“Por, kur më çuan atje… nuk e di, s’mund ta quash njeri. Ai filloi të tundte paralizuesin elektrik dhe më shokoi disa herë. Më kërcënoi, duke thënë: ‘Eja, shpejt, mos u bëj budalla’. Fliste me zë shumë të lartë. Hiqej sikur ishte komandant i madh dhe thoshte se ne ishim ‘kutërbon khokhly’” – një term përçmues për ukrainasit – “që nuk meritonim trajtim të denjë”.

Oleksandr Savov, një marins që kaloi gjashtë muaj në burgun e njohur si IK-10, u befasua njësoj kur hasi për herë të parë të njëjtin mjek.“Ai ndaloi para meje, e pashë që është me mantel të bardhë. Mendoja, ‘është mjek’”, tha Savov. “I thashë se dyshoja se kisha tuberkuloz. Dhe ai më tha: ‘Ç’po bërtet?’ S’e kuptova, ishte hera ime e parë atje. Dhe ai më dha një shok elektrik! Rri i heshtur. Sërish tha, ‘Ç’po bërtet?’, dhe më shokoi prapë”.

“Ai nisi të më shante. E pyeta çfarë saktësisht duhej të bërtisja. Ai tha: ‘Lavdi mjekësisë ruse!’ Unë e thashë. Dhe ai… më goditi përsëri me paralizues”, tha Savov. “E shikova, ai ishte me mantel të bardhë si mjek, pse ishte kaq mizor? Vetëm më vonë mësova se ky ishte ‘Dr. Shokuesi’”.

Savov, i cili vuante nga tuberkulozi, sëmundjet e lëkurës dhe limfedema kur u kthye në Ukrainë falë një shkëmbimi të burgosurish në mars, vdiq më 16 nëntor.

Të burgosurit në IK-10, ku qindra robër ukrainas janë dërguar qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, shpesh nuk e dinin ku mbaheshin deri pas lirimit. Por, të gjithë ish-të burgosurit që folën për Schemes – njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë – e mbanin mend “Dr. Shokuesin”, i njohur nga të burgosurit edhe si “Doktori Shpirtlig”.

Përmes një hetimi të shpërblyer me cmim, i kryer së bashku me Projektin e Raportimit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), Schemes identifikoi mjekun, Ilya Sorokin, sjelljet e të cilit u veçuan në kujtimet e të burgosurve që thanë se kishin përjetuar dhunë të pandërprerë dhe privim; një regjim abuzimi të cilit disa nuk i mbijetuan.

Publikuar nga REL-i në korrik, hetimi fitoi çmimin Eppy 2025 të Editor & Publisher për materialin më të mirë hetimor.

Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Sorokinit në tetor, duke përmendur “trajtimin çnjerëzor dhe degradues” ndaj robërve të luftës, përfshirë dhunën fizike dhe goditjet elektrike.



Skip to toolbar