Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla kanë nisur vizitën e tyre shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë pritur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Vizita shënon herën e parë që një monark britanik zhvillon një vizitë shtetërore në SHBA që nga viti 2007.
Çifti mbretëror mbërriti në bazën ushtarake Joint Base Andrews, ku u pritën me ceremoni zyrtare, përfshirë një tapet të kuq, muzikë ushtarake dhe përshëndetje nga zyrtarë amerikanë.

Më pas, në Shtëpinë e Bardhë, Mbreti dhe Mbretëresha u pritën nga çifti Trump, ku u përshëndetën, realizuan fotografi zyrtare dhe biseduan me njëri-tjetrin. Gjatë vizitës u zhvillua edhe një pritje çaji, ndërsa diskutimet mes palëve nuk janë bërë publike.

Sipas burimeve nga Buckingham Palace, raportojnë mediat e huaja, takimi konsiderohet një nisje e qetë e vizitës, megjithëse theksohet se marrëdhënia mes dy vendeve mbetet e rëndësishme në nivel diplomatik, ushtarak dhe të sigurisë.

Në vijim të programit, Mbreti Charles pritet t’i drejtohet Kongresit amerikan, në një fjalim që do të zgjasë rreth 20 minuta. Ky është vetëm rasti i dytë në histori që një monark britanik flet para Kongresit amerikan, pas fjalimit të Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1991.
Ai pritet të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Mbretëri e Bashkuar, duke i cilësuar ato si një nga aleancat më të rëndësishme në historinë moderne, si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në vazhdim të vizitës, çifti mbretëror do të marrë pjesë në një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, si dhe do të zhvillojë aktivitete të tjera në SHBA, përfshirë vizita përkujtimore në New York dhe Virginia.

Programi përfshin gjithashtu aktivitete simbolike kulturore, përfshirë një dhuratë të veçantë nga Mbretëresha për Bibliotekën Publike të New York-ut, si pjesë e një koleksioni të personazheve të njohur letrarë për fëmijë.
