Emiratet e Bashkuara Arabe tërhiqen nga OPEC dhe OPEC+

BOTA


Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan sot se do të tërhiqen nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), e udhëhequr nga Arabia Saudite, si dhe nga aleanca më e gjerë OPEC+, ku bën pjesë edhe Rusia.

Vendimi do të hyjë në fuqi duke filluar nga 1 maji, sipas një deklarate zyrtare të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve, WAM. Ky zhvillim konsiderohet i rëndësishëm për tregjet globale të energjisë, pasi Emiratet  e BAshkuara Arabe janë ndër prodhuesit kryesorë të naftës në botë dhe një aktor me ndikim në politikat e prodhimit.

Sipas njoftimit, ky vendim pasqyron një vizion strategjik dhe ekonomik afatgjatë të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat synojnë të ripozicionojnë rolin e tyre në sektorin energjetik global. Autoritetet theksojnë se vendi po kalon drejt një modeli më të diversifikuar energjetik, duke rritur investimet në prodhimin vendas të energjisë dhe në teknologjitë e reja. Kjo përfshin jo vetëm sektorin tradicional të hidrokarbureve, por edhe zhvillimin e energjive të rinovueshme dhe projekteve të qëndrueshme.

Vendimi vjen në një kohë kur tregu ndërkombëtar i energjisë po përballet me ndryshime të shpejta dhe sfida të shumta, përfshirë tranzicionin global drejt energjive më të pastra dhe presionet gjeopolitike.



Skip to toolbar