PD shkrin degën e Fierit/ Pranon krizën e thellë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit

AKTUALITET


Partia Demokratike ka pranuar zyrtarisht krizën e thellë organizative në degën e Fierit, duke ndërhyrë me një vendim të posaçëm të Kryesisë për të shpërndarë de facto strukturat aktuale drejtuese dhe për t’i zëvendësuar ato me një grup pune prej 43 anëtarësh.

Në vendimin që mban datën 24 prill thuhet se kjo lëvizje vjen për shkak të situatës problematike në degën e Fierit, pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, shoqëruar me dorëheqje të drejtuesve të degës dhe mosfunksionim të kryesisë.

Në dokument theksohet qartë se një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të kryesisë nuk kanë qenë aktive, çka ka sjellë paralizimin e strukturave lokale të partisë.

Kryesia e Partisë Demokratike në PD ngriti një grup pune që do marrë përkohësisht funksionet e kryesisë së degës dhe do të drejtojë procesin e analizës, riorganizimit dhe përgatitjes për zgjedhjet e reja.

Në krye të këtij grupi është komanduar Ardian Ferro, i cili do të ushtrojë funksionin e kryetarit të komanduar të degës.

Sipas vendimit, grupi i ri do të ketë afat deri më 30 shtator 2026 për të përfunduar procesin e analizës së brendshme, rifreskimin e strukturave dhe organizimin e zgjedhjeve nga seksionet deri te kryetari i ri i degës.

Enkeljeda Veliu, Gentian Koçi dhe Altin Maloku janë tre kandidatët për të marrë drejtimin e partisë demokratike në Fier.

Ndërkohë paralelisht po zhvillohet edhe procesi zgjedhor në degët e tjera të qarkut.

Zhvillimet tregojnë se Partia Demokratike në qarkun Fier po kalon një fazë ristrukturimi, ku nga njëra anë po pranon publikisht krizën në degën kryesore të Fierit, ndërsa nga ana tjetër po tenton të riorganizojë strukturat përmes zgjedhjeve në bazë.



Skip to toolbar