Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë 3 shtetas, pais u kapën me një sasi prej 111 kg lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”, në formën e çokollatës.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Çokollata”, nga forcat e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në DVP Tiranë.
Si rezultat i operacionit në rrugën “Pavarësia” në Tiranë, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 37 vjeç, M. L., 33 vjeç, I. G., 57 vjeç, të gjithë banues në Tiranë
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, dyshonte se shtetasi I. G., në bashkëpunim me shtetasit E. K., M. L. dhe persona të tjerë, tregtonin lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, të presuar në formë çokollate, në sasi të konsiderueshme.
Mesditën e sotme shtetasi I. G., që drejtonte automjetin “Citroen”, bënte lëvizje të dyshimta në rrugën “Pavarësia”, duke shoqëruar automjetin tjetër “Mercedez – Benz”, me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., ku dyshohej se këta të fundit kishin në automjetin e tyre lëndën narkotike.
Policia ka ndaluar mjeti “Mercedez – Benz” me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., janë gjetur në bagazhin e këtij mjeti 4 thasë, ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar si “cannabis sativa”, të presuar në formë çokollate. Gjithashtu rreth 50 m larg automjetit të parë, është ndaluar dhe automjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin I. G. Sasia e lëndës së dyshuar narkotike, pasi u peshua, rezultoi 111 kg.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”