Një lehtësim i rëndësishëm për qarkullimin në jug të vendit hyri në fuqi të hënën, pas vendimit të autoriteteve greke për të zgjatur orarin e funksionimit të doganës së Mavromatit, në pikën kufitare të Qafë Botës.
Lajmi konsiderohet pozitiv jo vetëm për banorët e zonave kufitare, por edhe për emigrantët dhe turistët që zgjedhin të udhëtojnë drejt Greqi gjatë muajve të verës, kur fluksi i lëvizjeve rritet ndjeshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të doganës greke të Mavromatit, pika kufitare do të qëndrojë e hapur nga ora 05:00 deri në 23:00 me orën shqiptare, duke shtuar ndjeshëm fashën e shërbimit krahasuar me orarin e mëparshëm, që ishte nga ora 07:00 deri në 20:00.
Zgjatja e orarit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e radhëve dhe pritjeve të gjata që krijohen zakonisht gjatë sezonit turistik, sidomos në fundjavat e verës apo në periudhat me fluks të lartë emigrantësh.
Për shumë qytetarë që e përdorin çdo ditë këtë pikë kalimi, vendimi shihet si një lehtësi konkrete për lëvizjen ndërkufitare, ndërsa operatorët turistikë në jug të vendit e konsiderojnë një zhvillim pozitiv që mund të favorizojë edhe më shumë hyrjet e turistëve nga Greqia drejt bregdetit shqiptar.
Në prag të sezonit veror, autoritetet synojnë që përmes këtij ndryshimi të garantojnë qarkullim më të shpejtë, më pak vonesa dhe një menaxhim më efikas të fluksit në një prej pikave më të frekuentuara kufitare në jug të Shqipërisë.
