Përurohen ambientet e reja të GJKKO-së, Bani: Standard i ri për drejtësinë moderne dhe transparente

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) përuroi sot ambientet e reja dhe moderne të institucionit, në një ceremoni ku u theksua rëndësia e infrastrukturës gjyqësore në forcimin e besimit publik te drejtësia.

Kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erjon Bani, u shpreh se ky transformim vendos një standard të ri institucional për gjykatën, më modern, funksional, dinjitoz dhe transparent.

“Drejtësia është, para së gjithash, një shërbim për qytetarin. Gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për qytetarin dhe për besimin publik”, deklaroi Bani në fjalën përshëndetëse.

Ai theksoi se ambienti ku jepet drejtësi është pjesë e vetë mesazhit të drejtësisë dhe e cilësisë së saj, ndërsa investimi në infrastrukturën gjyqësore përbën një domosdoshmëri institucionale.

“Sallat e gjykimit janë zemra e gjykatës dhe duhet të garantojnë solemnitet, barazi dhe dinjitet”, tha Bani.

Sipas tij, frymëzimi për transformimin e ambienteve erdhi edhe nga përvoja e gjykatave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar infrastrukturën gjyqësore pjesë të kulturës së drejtësisë dhe autoritetit të ligjit.

Bani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit me mediat.

“Transparenca nuk është detyrim formal, por pjesë e kulturës institucionale të gjykatës. Media është partner i rëndësishëm në forcimin e transparencës dhe besimit publik”, u shpreh ai.

Ambientet e reja të GJKKO-së synojnë përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e standardeve të sigurisë dhe garantimin e një shërbimi më dinjitoz për qytetarët dhe palët në proceset gjyqësore.



Skip to toolbar