Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka rënë në kurthin e dy komedianëve rusë, të cilët i kanë telefonuar duke u hequr si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Bisedat janë publikuar në Youtube dhe opozita maqedonase ka reaguar ashpër duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Zaev për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Telefonatat janë bërë në fund të gushtit 2018 dhe në janar të 2019-s, ndërsa Zaev e kuptoi që ishte vënë në lojë vetë të hënën kur u publikuan në Youtube.
Kjo lojë e komedianëve rusë ka bërë që kryeministri maqedonas, Zaev të dalë në një konferencë për shtyp dhe të kërkojë falje, por theksoi se nuk ka asnjë arsye pse duhet të jap dorëheqjen.
“Isha viktimë e një shakaje të bërë nga një strukturë e mirëorganizuar e cila përfiton nga taktika, forma dhe mjetet e reja në një përpjekje për të diskredituar publikisht njerëzit dhe vendet me aspiratat euroatlantike. Kjo është një nga ato përpjekje për të dëmtuar drejtpërdrejt interesat tona strategjike për të përfunduar anëtarësimin tonë në NATO. Manipulimet vijnë nga media propaganduese me orientim anti-Nato për shtrirjen e ndikimit të palëve të treta.’ – tha Zaev, i cili shtoi se nuk ishte viktima e parë e komedianëve mashtrues. Edhe politikanë të tjerë si Boris Johnson i Britanisë, Emmanuel Macron i Francës dhe Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë kanë rënë pre e tyre.