Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian pa garantuar të drejtat e qytetarëve dhe funksionimin në kohë të sistemit të drejtësisë.
Në një konferencë për mediat, ai theksoi se procesi i integrimit europian kërkon angazhim të pandërprerë nga i gjithë sistemi institucional, duke bërë të ditur se 70 institucione, 190 ekspertë dhe mbi 8 mijë faqe dokumentacion janë përfshirë në raportimet pranë Komisionit Europian.
Gogu u ndal edhe te raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme, IBAR, të cilin e cilësoi si një proces teknik që tashmë ka kaluar nga grupi i punës te ai i ambasadorëve, duke treguar sipas tij se procesi po ecën përpara dhe se cilësia e reformave po vlerësohet pozitivisht.
“Nuk mund të futemi në Europë pa garantuar të drejtat e qytetarëve në proces, apo nëse sistemi nuk u përgjigjet në kohë. Procesi i integrimit europian është një punë e palodhur i gjithë sistemit. 70 institucione janë koordinuar, 190 ekspertë, 90 orë raportime në KE dhe janë dërguar mbi 8 mijë faqe në komision.
Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme, IBAR, ishte një proces teknik dhe është një proces që tashmë ka kaluar nga grupi i punës, në atë të ambasadorëve. Tregon që procesi po lëviz, dhe ka çdo mbështetje nga ana jonë. Cilësia e reformave vlerësohet në atë raport”, u shpreh ministri Gogu.
