I ftuar në Real Story, deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur shqetësime për mënyrën sesi ministrat po përfaqësohen në Kuvend, duke kritikuar mungesën e qëndrimeve politike gjatë interpelancave dhe debateve parlamentare.
Braçe theksoi se ministrat nuk duhet të sillen si teknikë në një sallë politike si Kuvendi. Ai theksoi se nuk e ka pasur problem të mbajë publikisht qëndrime politike edhe në emër të Partisë Socialiste, ndërsa shtoi se mungesa e këtij pozicionimi nga ministrat përbën shqetësim.
“Për interpelancat janë përgatitur prej 5 javësh, jam konsultuar me 150 faqe materiale, dokumenta, udhëzime, sepse kur shkon atje shkon për t’u folur qytetarëve. I interpeluari duhet të ketë këtë nivel përgatitje.
E dyta, sjellja e ministrave në një sallë Kuvendi që është sallë politike, sjellje teknike pa marrë pozicion politik, më shqetëson. Në raport me opozitën si mund të sillesh si teknik? Ka çështje ku duhet të mbash qëndrime politike, të bëhet një debat për çmimet e hidrokarbureve dhe ministri mos të mbajë asnjë qëndrim politik, kur modelin ne e kemi nga qeveria e mëparshme, por ne kemi zgjedhjen tonë politike për nivelin e taksimit.
Mos të mbash një qëndrim politik, unë s’e pata për turp ta thoja në sy dhe të mbaja qëndrim politik edhe në emër të partisë PS, por është problem që këtë qëndrim mos ta mbajë ministri.
Ti mund të kesh një qeveri teknike, por s’mund të kesh parti teknike. Pas 30 vitesh ne po shkojmë në një parti teknike.”
