Kuvendi miratoi ditën e hënë ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë shkeljet e Kushtetutës të kryera nga presidentit Meta. Komisionit pritet të mos humbasë kohë por të nis menjëherë shqyrtimin e raportit për shkarkimin e presidentit Meta pas shkeljeve të kryera në 9 raste. Komisioni do të nis punën e tij ditën e enjte. Lajmi është bëri i ditur nga deputeti i ri i opozitës Alban Zeneli, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.
Zeneli tha se përpilimi i një raporti të plotë dhe përfundimtar mbi shkarkimin e Presidentit të Republikës do të jetë gati brenda muajit shtator. Vendimi përfundimtar i shkarkimit të Metës do të merret nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të ngrihet brenda kësaj vere. Zeneli tha për Report TV se komisioni do të marrë të gjithë kohën e nevojshme që i jep ligji, (3 muaj) për dorëzimin e raportit në mënyrë që t’i jepet kohë ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Mbledhja e parë e komisionit hetimor për presidentin është brenda 3 ditëve dhe besoj se do jetë nesër(e enjte). Raporti do të jetë gati brenda muajit shtator, për t’i dhënë mundësi edhe ngritjes së Gjykatës Kushtetuese e cila do të marrë edhe vendimin përfundimtar nëse duhet shkarkuar apo jo presidenti Meta. Në dijeninë time ne do zbatojmë gjithçka ka përcaktuar ligji dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe e gjitha koha e marrë nga Kuvendi do të jetë 3 muaj“. – tha Zenelaj
Anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti i opozitës së re Halit Valteri, tha se procedura nuk kanë pse të jenë të nxituara dhe se do të mblidhen në të gjitha provat dhe faktet që vërtetojnë shkeljet e Kushtetutës nga presidenti Meta.
“Nuk është se kemi gjë me ngut. Komisioni Hetimor nuk shkarkon presidentin e Republikës, por mbledh prova, fakte dhe jep propozime nëse Presidenti ka shkelur ose Kushtetutën. Ajo që jep vendimin përfundimtar është Gjykata Kushtetuese”. – tha Valteri