PD njeh “30 qershorin” në kallëzimin për “krimet zgjedhore”

Më të fundit


Partia Demokratike ka paditur komisionerët e 14 qendrave të votimit të Bashkisë Kukës, pasi sipas kësaj force politike, ata kanë kryer krime zgjedhore, si falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve dhe shkelje të fshehtësisë së votimit. Por me veprimet që po kryen kjo forcë politike, me qëllim që të pengojë procesin e certifikimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, i ka njohur ato, pavarësisht se kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi tre ditë pas zgjedhjeve se “nuk i njeh votimet dhe se 30 qershori është nul”.

Kjo njohje e zgjedhjeve ka ardhur në bazë të kallëzimit të bërë nga PD në Prokurorinë e Kukësit, duke shpjeguar se në çfarë cilësie e ka bërë këtë padi, si një nga kushtet për të depozituar një kallëzim penal. Në kallëzimin e dorëzuar më të mërkurën më 10 korrik, PD e Kukësit deklaron se “unë kallëzuesi, dega e PD Kukës, në cilësinë e personit përgjegjës në ushtrim të detyrave për të përmbushur misionin e subjektit juridik kallëzues gjatë zhvillimit të zgjedhjeve për Vetëqeverisjen Vendore të mbajtura me datë 30 qershor…”, duke njohur kështu se më 30 qershor janë bërë zgjedhje dhe jo votime, siç ka pretenduar opozita. Madje, opozita është treguar e kujdeshshme që në çdo dalje të saj të deklarojë votimet dhe jo zgjedhjet. Megjithatë, siç duket kjo ka qenë rruga e vetme për të depozituar kallëzim penal. Kjo lëvizje e PD vjen pas njohjes së zgjedhjeve nga ndërkombëtarët dhe qëndrimit të mazhorancës për të mos bërë asnjë hap pas, ndërsa PD duket se po mendon lëvizje të tjera për të justifikuar mospjesëmarrjen në zgjedhje, që shkaktuan edhe humbjen e drejtimit të bashkive, të cilat janë cilësuar historikisht bastione të PD.


Gjithsesi, në padinë e PD kërkohet sekuestrimi i listës së personave që kanë votuar, për ta krahasuar me sistemin TIMS, për të verifikuar praninë e tyre në vend me 30 qershor. Ndër faktet e përmendura në padi përmendet dalja e numrit më të lartë të fletëvotimeve sesa numrit të votuesve, jo vetëm në qytetin e Kukësit, por në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Kukës.

Partia Demokratike dega Kukës, në padinë e vet i kërkon Prokurorisë që të sekuestrojë në cilësinë e provave, fletët e votimit dhe listat e personave që kanë votuar për çdo qendër votimi, me qëllim verifikimin në sistemin TIMS të faktit nëse ata kanë qenë në Shqipëri me datën 30 Qershor 2019.




Skip to toolbar