Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për 10 të pandehur, të dyshuar për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe për ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit.
SPAK ka bërë kërkesë për kalimin e çështjes për gjykim për shtetasit Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata.
Hetimet treguan se të pandehurit në bashkëpunim me disa persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me disa persona të paidentifikuar ende, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nga vendet e Amerikës Latine, nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe kanë ndihmuar kalimin e paligjshëm të kufirit, nga Shqipëria për në Itali të 55 shtetasve sirianë.
Prokuroria e Posaçme pasi zbardhi komunikimet në aplikacionin Sky Eç, dokumentoi 8 episode të trafikut të drogës. Në periudhën 2020-2021 , të akuzuadit kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazili, Ekuador) në drejtim të porteve kryesore të disa vendeve të Bashkimit Europian (Italisë, Holandës), apo nga Shqipëria për në drejtim të Greqisë dhe Gjermanisë, një sasi prej 4,340.2 kg lëndësh narkotike:
3635 kg lëndë narkotike e llojit kokainë
2 kg lëndë narkotike e llojit heroinë
701 kg bimë narkotike e llojit kanabis sattiva
Musa Gjikola, Jani Meçja, Selami Lushka, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo Çadri kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, kanë pasur rolin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të paligjshme.
Sokol Masha dhe Akil Alushi kanë ndihmuar në kalimin e paligjshëm të shtetasve sirianë.
