Refuzimi që qeveria e Albin Kurtit i ka bërë projektit të gazit amerikan u vlerësua si çështje që tejkalon debatin energjetik, duke u ndërlidhur me sigurinë nacionale, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë nuk munguan as kritikat ndaj institucioneve për mungesë gatishmërie për debat dhe për qasjen refuzuese ndaj projekteve të tilla.
“Në shtatorin e vitit 2021, mediat raportonin për një përgjigje përfundimtare që qeveria i kishte dërguar qeverisë së SHBA-ve, që nuk kishte interes për të vazhduar me programin për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm. Arsyetimet madje shkonin edhe në atë pikë që nuk po bëhej fjalë për gaz amerikan. Pesë vite më vonë, sërish përgjigja është jo, arsyetimet kësaj radhe janë të tjera”, tha Arian Zeka.
Ndërkaq, anëtari i bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Pleurat Hundozi, tha se gazi natyror nuk duhet të shihet si zëvendësim i burimeve të tjera të energjisë, por si një burim shtesë për të cilin Kosova ka nevojë.
“Gazi nuk është zëvendësim i burimeve të tjera të energjisë, kjo po humbet gjatë debatit, nuk është dialog a do ta zgjidhim, Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e mundshme të gjenerimit të energjisë, në pikën e djegies, jo vetëm si rrymë. Gazi natyror nuk është zëvendësim i burimeve të tjera”, tha Pleurat Hundozi.
Ekspertët theksuan se qëndrimi ndaj kësaj çështjeje lidhet edhe me besimin e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e ndërlidhur energjinë me sigurinë nacionale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ftuar Kosovën disa herë që t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke argumentuar se siguria energjetike është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa qeveria Kurti ka refuzuar vazhdimisht.
