Shqipëria, më shumë fonde nga BE/ SASPAC: Synojmë disbursimin deri në 215.4 milion euro

EKONOMI


Shqipëria ka avancuar me reformat për përthithjen e fondeve të reja në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke synuar disbursimin e 215.4 milionë eurove të tjera. Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ka dorëzuar pranë Komisionit Evropian ciklin e tretë të raportimit.

Ky është një hap më shumë në rrugën për një tjetër mbështetje financiare për Shqipërinë, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Programi përfshin 18 masa reformuese të reja me afat qershor–dhjetor 2026. Këto masa përfaqësojnë angazhime të reja të Shqipërisë dhe mbulojnë fushat e mjedisit të biznesit dhe zhvillimit të sektorit privat, kapitalit njerëzor, digjitalizimit, si dhe energjisë dhe shtetit të së drejtës.

Vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian do t’i mundësojë Shqipërisë përfitimin e një fondi deri në 215.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 100.2 milionë euro do të kalojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa rreth 115.2 milionë euro do të përdoren për financimin e investimeve strategjike përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Fondet janë pjesë e mbështetjes financiare që Bashkimi Evropian ofron për vendet e rajonit në kuadër të Planit të Rritjes, i cili lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

Raportimi i tretë për Agjendën e Reformave konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke synuar forcimin e institucioneve, përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në maj 2024, i ofron Shqipërisë mundësinë të përfitojë deri në 922 milionë euro (EUR) në grante dhe hua të favorshme për periudhën 2024–2027. Këto fonde janë të kushtëzuara drejtpërdrejt nga zbatimi i masave të dakordësuara në Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, një mekanizëm që garanton transparencë dhe llogaridhënie në procesin e integrimit evropian.



Skip to toolbar