Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Vendimi, sipas ministrisë, vjen pas mospërmbushjes së kontratës për respektimin e afateve për përfundimin e kësaj vepre, e cila është një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend.
Punimet në aeroport vazhdojnë të jenë të pezulluara për shkak të konflikteve mes aksionerëve, të cilat përfunduan në dyert e gjykatave. Me nisjen e kësaj procedure, qeveria ka kaluar në fazën e radhës të mekanizmave kontraktorë për zgjidhjen e situatës së krijuar.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, mbi 2 muaj më parë tha në një deklaratë se qeveria u kishte lënë afat 30 ditë dy shoqërive aksionere, Mabco Constructions të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit, për të zgjidhur mosmarrëveshjet ligjore mes tyre, në mënyrë që t’i hapej rrugë rinisjes së punimeve në Aeroportin e Vlorës.
Punimet për ndërtimin e kësaj vepre zyrtarisht nisën në nëntor të vitit 2021, por u penguan nga përplasjet mes ortakëve fitues të kontratës së koncesionit. Sipas saj dhe planit fillestar të investimit, aeroporti duhej të përfundonte brenda rreth tre viteve dhe të niste operimet në fillim të këtij viti.
