Shtetet e Bashkuara i kanë revokuar vizën ambasadorit të Brazilit në Uashington, në një lëvizje që vjen vetëm pak ditë pasi autoritetet braziliane refuzuan t’u lëshonin viza disa zyrtarëve amerikanë.
Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili sqaroi se vendimi nuk nënkupton dëbimin e ambasadorit, por përbën një masë diplomatike në kuadër të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Sipas të njëjtit burim, viza do të rilëshohet nëse situata zgjidhet dhe palët arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet aktuale.
Ky zhvillim shënon një tjetër episod tensioni në marrëdhëniet mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe qeverisë së presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, të cilat muajt e fundit janë përballur me disa mosmarrëveshje diplomatike.
