Eduard Zaloshnja: Dilema afatgjatë e PD

AKTUALITET


Nga një projeksion që i bëra votave, bazuar në një sondazh që zhvillova ditët e para të korrikut, rezultonte që, nëse zhvillohen zgjedhje parlamentare sot, PS-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PSD+PDS+etj.) marrin gjithsej rreth 760 mijë vota, ose 22% të votave të 3.55 milionë zgjedhësve në lista. Ndërkohë, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) marrin gjithsej rreth 635 mijë vota, ose 18% të votave të zgjedhësve në lista dhe LSI-ja merr rreth 85 mijë vota, ose 2% të votave të zgjedhësve në lista.

Dhe problemi elektoral afatgjatë i PD-së është se PS-ja dhe satelitët e saj, gjatë dekadës së fundit, janë luhatur në intervalin e ngushtë 22%-24% (shihni grafikun shoqërues. Pra, si kur kanë qenë në opozitë edhe në pushtet, pesha e tyre elektorale ka qenë pothuajse konstante. Ndërsa PD-ja dhe satelitët e saj kanë patur një kurbë rënëse. Në vitin 2009, pesha e tyre elektorale ishte 25% (jo të gjitha ishin në koalicion me PD-në atëherë, si p.sh. LZHK, PDK e PBDNJ, por janë tani). Parvjet zbriti në 16% e tani ka arritur 18%.

Po a do t’i shërbente PD-së një koalicion paraelektoral me LSI-në për kaluar murin elektoral të PS-së dhe sateliteve të saj?

Siç duket qartë në grafik, votat e LSI-së kanë patur një mardhënie të tipit enë komunikuese me ato të PD-së. Kur LSI-ja ngrihet, PD-ja ulet dhe anasjelltas. Shumë pak vota duket të kenë kaluar nga PD-ja tek PS-ja dhe anasjelltas, sepse pesha elektorale e PS-së dhe satelitëve të saj ka mbetur pothuajse konstante në dekadën e fundit.

Me pak fjalë PD-ja duhet ta ndajë mendjen nëse do të rithithë votat, si dikur në vitin 2009, dhe të bëjë koalicion paselektoral me LSI-në (në qoftë se i nevojitet), ose të bëjë koalicion paraelektoral me të, me vetëdijen se një pjesë të votave do t’i ndajë me të sipas parimit të enëve komunikuese…



Skip to toolbar