Kaubojsin s’e ka frikë njeri: I vjedhin… katër vota

Më të fundit


Komisioni Qendror Zgjedhor ka rinumëruar kutitë e 11 qendrave të votimit pas ankesës së bërë nga kandidati i Partisë Konservatore, duke zbuluar se “kaubojsin” Eduard Ndocaj, nuk e ka askush frikë, pasi komisionerët i kanë ngrënë plot 4 vota. Madje, KQZ ka zbuluar se “kuabojsit” i kanë numëruar edhe një votë gabim, që ia kanë hequr atij dhe ia kanë shtuar Pjerin Ndreut.

Rinumërimi në KQZ, e cila vendosi pro Ndocajt për hapjen e 11 kutive në Lezhë, ka zhgënjyer pritshmëritë e tij, pavarësisht se në ditët e fundit ai ka hedhur akuza të forta se ai është kërcënuar nga njerëzit e Pjerin Ndreut dhe që i kanë vjedhur votat në zgjedhjet e 30 qershorit, ku kandidonte për Kryetar të Bashkisë së Lezhës.


Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba i ka quajtur ankuesit fakira, të cilët donin të sillnin një “Big Brother” elektoral. Biba tha se ishte i kënaqur që nuk transmetohej më emisioni “Big Brother” që sipas tij ishte shfaqe banale, por partitë politike tentuan ta risjellin atë. “Unë nuk isha për hapjen e kutive dje. Matematika nuk është opinion, atje ku doli që ishte një votë më tepër, ajo ishte hedhur në kutinë e gabuar. Këtë e thotë ligji. Se ndoshta ju do mbroni këta fakirat. Por këta donin të shikonin një ‘Big Brother’ elektoral, por gjithçka doli në rregull. Zgjedhjet dolën një ushtrim i mirë i qytetarëve në funksion të ligjeve dhe në funksion të demokracisë”, tha Biba.

Ndërkohë, anëtari tjetër, Bledar Skenderaj u shpreh se ankimuesit, duhet të kallëzoheshin penalisht për shpifje dhe mashtrim. “Edhe ankuesi, por edhe personat e tjerë duhet të jenë penalisht përgjegjës për këto mashtrime që kanë bërë para qytetarëve”, tha Skenderi.

Ndocaj pretendonte se në 11 qendra votimi në bashkinë e Lezhës ka pasur më shumë vota sesa votues dhe për këtë arsye do të hapen kutitë për të parë nëse ka apo jo shkelje. Kodi Zgjedhor parashikon se nëse numri i votave ndikon në rezultatin e zgjedhjeve atëherë shpallen qendrat e pavlefshme. Edhe nëse 11 qendrat që u hapën, shpalleshin të pavlefshme, Pjerin Ndreu sërish mbetej në avantazh absolut, pasi ka një diferencë prej rreth 12 mijë votash.




Skip to toolbar