Marine Le Pen rikthehet në skenë: “Beteja e Francës” nis me sulme ndaj Macronit

BOTA


Marine Le Pen është rikthyer në skenën politike franceze pas një heshtjeje gati njëmujore, duke shpallur synimin për një tjetër betejë presidenciale dhe duke vendosur në qendër të fjalimit të saj krizën e kostos së jetesës, strehimin dhe sigurinë.

Në bastionin e saj politik, Hénin-Beaumont, në veri të Francës, Le Pen u prit nga rreth 2 mijë mbështetës, ndërsa pranë saj ishte edhe Jordan Bardella, i cili festoi 31-vjetorin mes militantëve, por nuk mbajti fjalim.

Le Pen deklaroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një “betejë e re e Francës” dhe premtoi se do të japë “të gjitha forcat” për të arritur fitoren. Duke kritikuar presidentin Emmanuel Macron, ajo tha se pas dhjetë vitesh të qeverisjes së tij “nuk jemi më te analiza, jemi te autopsia”.

Liderja e Rassemblement National sulmoi gjithashtu kandidatët e qendrës, Édouard Philippe dhe Gabriel Attal, duke i cilësuar si “klone” dhe “bashkëpunëtorë” të makronizmit.

Në fjalimin e saj, Le Pen premtoi uljen e TVSH-së për energjinë nga 20% në 5.5%, masa në mbështetje të pronarëve të banesave dhe luftë ndaj zaptimeve të paligjshme. Ajo riktheu gjithashtu parimin e “priorité nationale”, sipas të cilit qytetarët francezë do të kenë përparësi në aksesin ndaj banesave dhe disa përfitimeve sociale.

Rikthimi i Le Pen në qendër të vëmendjes vjen në një moment kur roli i Jordan Bardellës brenda partisë ishte rritur ndjeshëm. Megjithatë, pamja e tyre e përbashkët në fund të tubimit, duke kënduar himnin francez “Marsejeza”, synoi të tregonte unitet mes dy figurave kryesore të së djathtës ekstreme franceze.



Skip to toolbar