Gentian Osmani, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokuror pranë Krimeve të Rënda, është shkarkuar nga shkalla e dytë e Vettingut, Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Në vendimin e marrë këtë të mërkurë, KPA gjeti parregullësi në pasurinë e prokurorit Osmani, duke argumentuar se “ai nuk justifikonte dotë të ardhurat”, në këtë mënyrë, KPA vendosi shkarkimin e tij. Por shkarkimi i Gent Osmanit pasohet nga një ngërç në funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtar i të cilit ishte dhe Gentian Osmani. KLP është organi kushtetuese që emëron prokurorët në detyra të reja pasi ata kalojnë vettingun.
Sipas nenit 149 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtar, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë”. Ndërkohë, po në këtë nene të Kushtetutës, në pikën 3, caktohet se “Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë”.
Pra, tashmë do të duhet që kryeprokurorja Arta Marku të mbledh me urgjencë Asamblenë e Prokurorëve, ku të dalin kandidaturat dhe të votohet për anëtarin e gjashtë të KLP-së që duhet të jetë nga radhët e prokurorëve, të cilët kanë kaluar gjithashtu Vettingun. Po përse është i rëndësishëm emërimi i anëtarit të ri të KLP pas largimit të Gent Osmanit? Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas Kushtetutës është i përbërë nga 11 anëtar. KLP është organi që emëron prokurorët e rinj, propozon kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, përcakton kriteretet për përzgjedhjen e prokurorëve etj.
Ndërkohë, prokrurorët që do të duhet të kandidojnë për t`u bërë anëtar të KLP-së, duhet të plotësojnë disa kushte të tjera. Të kenë ushtruar funksionin e prokurorit për të paktën 10 vjet, nuk duhet të jenë drejtues të një zyre prokurorie ose anëtar drejtues të grupeve të inrteresit, të jenë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të etikës dhe veprimtarisë profesionale, të mos kenë masë disiplinore në fuqi, të mos kenë qenë ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, apo të shërbimeve të huaja sekrete. Të gjithë prokurorët që plotësojnë këto kushte mund të kandidojnë për t`u bërë anëtar të KLP.