Shkëndija e Tetovës është duke shkruar historinë në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani, po shkon drejt kurorizmit të titullit të dytë radhazi në shtetin fqinj.
Në 29 javë skuadra “kuqezi” ka fituar 20 takime duke mbajtur vendin e parë në renditje me 66 pikë, teksa lë pas ekipin kryeqytetas, Vardarin, me 12 pikë më pak.
Fitorja e fundit në kampionat e Shkëndijës erdhi të shtunën kundër Makedoniia Gj.P, me ndeshjen që përfundoi me rezultatin 4-2.
Përveç golashënuesve Radeski, Imeri e Musliu, vlen të përmendet performansa e portierit Bekim Rexhepi, që në të paktën tre raste ka bërë pritje spektakolare, duke shpëtuar gola të sigurtë.
Pas barazimit të xhiros së kaluar Shkëndija kthehet në rrugën e fitores dhe tashmë çon në shtatë numrin e takimeve të njëpasnjëshme pa njohur disfatën.
Marjan Radeski në minutat 8 dhe 31, si dhe Omar Imeri në minutën e 40-të realizuan për epërsi 3:0 në pjesën e parë.
Në vazhdim miqtë ngushtuan rezultatin në 3:1 me anë të Tanturovskit në minutën e 59-të, ndërsa pasi Lukas u përjashtua me të kuq në të 62-ën kuqezinjtë me qetësi menaxhuan lojën deri në fund.
Musliu tre minuta para fundit të kohës së rregullt shënoi për 4:1, ndërsa në kohën shtesë Karvaljo realizoi për rezultat përfundimtar 4:2.