Shkarkimi i Metës në prag. Venecia dërgon delegacion ekspertësh në Tiranë

AKTUALITET


Një delegacion i Komisionit të Venecias do të mbërrijë në Shqipëri në shtator për t’u konsultuar në lidhje me kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar në lidhje me nismën për të shkarkuar presidentin e Republikës, Ilir Meta për shkelje të rëndë të kushtetutës.

Ekspertët e Komisionit të Venecias do të vizitojnë Tiranën zyrtare në datat 9-11 shtator dhe do të zhvillojnë takime me presidentin Meta, kryeministrin Rama si dhe me përfaqësues të Kuvendit, kryetarin Gramoz Ruçi dhe anëtarët e Komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit.

Vizita e delegacionit të Komisionit të Venecias vjen pas kërkesës së një grupi deputetësh së PS për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, për të cilin është ngritur edhe një komision i posaçëm hetimor.

Ka qenë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i cili i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit të Vecencias që të japë asistencën e tij në lidhje me procedurat parlamentare që ka ndërmarrë Shqipëria për të shkarkuar presidentin. Duhet thënë se kjo është një nismë që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe për të mos lënë vend për keqinterpretime, kuvendi ka kërkuar ndihmën e Komsionit të Venecias, që shquhet për paanëshmërinë e tij.

Ndërkaq Komisioni i Venecias e ka përfshirë kërkesën e kuvendit të Shqipërisë në axhendën e punimeve të tij.

Me futjen në axhendë të kësaj kërkese,  Komisioni i Venecias pritet që ta shqyrtojë këtë çështje në mbledhjen e tij më të afërt që është në tetor. Por nisur nga praktika e punës e Komisionit të Venecias, përpara se të japë mendimin final sa i takon kërkesës së mazhorancës, pritet që të japë një opinion të ndërmjetëm. Me shumë gjasa gjatë muajit shtatorit ky opinion do të jetë në dorën e Kuvendit dhe do të shfrytëzohet nga mazhoranca pa humbur kohë. Kështu, nëse opinioni i ndërmjetëm i dhënë nga Venecia do t’i japë të drejtë mazhorancës, duke bërë “fajtor” Presidentin Ilir Meta, ajo do të vijojë pa humbur kohë me procedurat e shkarkimit të kreut të shtetit. Sipas të gjitha të dhënave pritet që presidenti Meta të shkarkohet në shtator. Dhe fill pas vendimit të parlamentit çështja do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese e cila do të thotë fjalën e fundit. Gjykata Kushtetuese pritet të ngrihet shumë shpejt dhe deri në shtator do të jetë gati të thotë mendimin e saj./realstory.al



Skip to toolbar