Monitoroi 30 qershorin, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Palët të ulen për reformën zgjedhore

POLITIKË


Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që ishte një nga monitoruesit e procesit zgjedhor më 30 qershor, në përfundim të raportit për zgjedhjet ka kërkuar që palët politike të ulen për reformën zgjedhore, për të evituar një tensionim të mëtejshëm të situatës dhe përplasjet e vazhdueshme, një thirrje që i ka bërë edhe kryeministri Rama opozitës, por që deri më sot nuk ka gjetur një përgjigje pozitive nga kreu i PD, Lulzim Basha.

Në raportin e hartuar për 30 Qershorin, pas monitorimit të bërë në nëntë bashki të vendit, me 110 vëzhgues të angazhuar, KShH arrin në përfundimin se monitorimi i pjesshëm u shtri në një numër të kufizuar qendrash votimi dhe KZAZ, ndaj gjetjet e pasqyruara në raportin përfundimtar nuk mund të konsiderohen të plota dhe as gjithëpërfshirëse. “Megjithatë, ato mund të vlejnë në drejtim të identifikimit të disa problematikave që mund të mbahen në konsideratë në kuadër të reformës zgjedhore, reformë kjo e cila ka dështuar me nismat e ndërmarra vitet e fundit nga Kuvendi. KShH vlerëson se reforma zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e katër proceseve zgjedhore të fundit, përfshi edhe të datës 30 Qershor 2019”, shprehet KShH.

Një nga rekomandimet e vura në dukje është për depolitizimin e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet. Lidhur me sistemin zgjedhor, KShH mendon se kjo çështje kërkon një analizë të thelluar dhe paralelisht një reformë ligjore në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të partive politike.

“Për ligjshmërinë e zgjedhjeve të dt. 30 qershor 2019 do të vendosin organet kompetente. Gjithashtu, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm që duhet të lexohet nga të gjithë palët me objektivitet dhe paanshmëri”, thotë KShH. Por pavarësisht nga kjo, KShH shpreh shqetësimin se situata politike në vend vazhdon të jetë e tensionuar dhe mendon se duhen gjetur rrugët dhe mekanizmat e zgjidhjes së saj.



Skip to toolbar