Mero Baze: Tallja dhe dëshpërimi i Ilir Metës me PD dhe negociatat

OPINION


Mero Baze

Ilir Meta duket që është i dëshpëruar nga Partia Demokratike. Edhe pse ai e di fare mirë që problemi i shkuarjes në zgjedhjet e 13 tetorit nga opozita, nuk është legjitimiteti i munguar i dekretit të tij, por vënia në diskutim e legjitimitetit të Lulzim Bashës, përsëri ngulmon. Dhe është një këmbëngulje e pakuptimtë, t’i kërkosh Lulzim Bashës të bëjë më 13 tetor, atë që nuk bëri më 30 qershor, duke ndryshuar vetëm moti.


Lulzim Bashën nuk e pengon muaji qershor apo pranvera si stinë, dhe nuk është se vjeshta ja kthen mendjen.

Lulzim Bashën e pengon fakti që dështoi me lëvizjet e tij radikale për djegie mandatesh e bojkot zgjedhjesh dhe nuk mund të bëjë hapa pas, pa një garanci nga Berisha, që nuk do të preket.

Dhe siç e shikojnë të gjithë, Berisha po sillet sikur nuk e ka mendjen, as tek Basha, as tek Meta, por merret me “qytetarin digital”.

Por ajo që është më komike tek thirrja e Metës drejtuar opozitës, d.m.th PD-së, për 13 tetorin, është se u kujton atyre 18 tetorin, kur Shqipëria mund të mos hapë negociatat.

Kjo është një tallje dyfish. PD është e sigurtë se negociatat nuk do të hapen, me gjithë atë krizë që PD ka krijuar. Tanimë po bëhet e qartë për qeverinë, se nëse dështojnë negociatat, ato do të dështojnë nga kriza e brendshme politike që ka prodhuar opozita.

Tani ky është i vetmi trofe i luftës politike që ka arritur Lulzim Basha. Vërtet ka dalë nga Parlamenti, vërtet ka dalë nga Bashkitë, por ama Shqipërinë e ka nxjerrë nga shanset për negociatat.

Tani ti lutesh Lulzim Bashës të hyjë në zgjedhje me 13 tetor, se kështu mund të hapen negociatat më 18 tetor, është sikur ti lutesh të mos hyjë kurrë në zgjedhje.

Edhe sikur zgjedhjet e 13 tetorit të ishin legjitime, edhe sikur aty të merrnin pjesë gjithë palët, edhe sikur kryeministër të mos ishte Edi Rama, Lulzim Basha do t’i bojkotonte ato zgjedhje, vetëm që të mos hapeshin negociatat.

Ka tre vjet që bën përditë këtë betejë dhe ka një farë suksesi. Nuk mund ta shesë kaq lirë.

Ndaj Ilir Meta, duhet të na e kursejë këtë arsyen përse duhet të hyjë PD në zgjedhje më 13 tetor, duke na përmendur negociatat. Ato janë arsye për të mos hyrë kurrë në asnjë palë zgjedhje PD.

Është më mire t’iu lutet me sinqeritet të regjistrohen që të mos duket sikur presidentin se pyet asnjeri, veç Tit Vasilit. Kjo është dhe më e ndershme, mbi të gjitha se është hall real.

Kurse halli i negociatave, nuk është as i ilir Metës, as i Lulzim Bashës. Të dy së bashku kanë punuar që ajo ditë të vihet në dyshim. Tani të paktën të mos zihen kush ka më shumë merita.




Skip to toolbar