Partia Demokratike ka publikuar pasditen e të mërkurës letrën ku i dërgonte Prokurorisë së Përgjithshme dokumentat që dispononte, për arrestimin dhe dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali disa vite më parë. Në letrën, që mban datën 13 gusht, ditë kur u publikuan dokumentet, që sipas PD vërtetohet se kryebashkiaku i sapozgjedhur i Shkodrës ka qenë më parë i dënuar, PD kërkon nga Arta Marku që të publikojë sa më shpejt informacionin zyrtar në lidhje me vërtetimin e akuzës së ngritur nga PD.
“Nisur nga intersi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demmokratike e Shqipërisë ka pritur një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Për fat të keq, ku reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen e krimeve”, shkruhet ndër të tjera në letrën e PD, e cila është në formë ultimatumi për Prokurorinë e Përgjithshme drejtuar nga Arta Marku.
“Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi. “Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
Të martën, Partia Demokratike publikoi disa dokumente të cilat sipas Selisë Blu vërtetojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar më parë në Itali. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se “derisa të e vërteta të dalë zyrtarisht, Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara”.