Dëshmoi për vrasjen e Indrit Çelajt, gjykata lë në burg Lorenc Veliajn për 3 vepra penale

AKTUALITET


Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për 27 vjeçarin Lorenc Veliaj. Ai ishte kolegu i Indrit Çelajt që u vra nga vëllezërit Kusi në rrugën Myslym Shyri në Tiranë dhe dëshmitar i ngjarjes. Ishte pikërisht dëshmia e tij që çoi në zbardhjen e ngjarjes.

Fillimisht ai u arrestua si i dyshuar për krimin por më pas policia sqaroi se dy vëllezërit Kusi e kishin kërcënuar dhe e kishin detyruar atë që të merrte përsipër vrasjen. Megjithëse ai dëshmoi në polici dhe zbardhi të plotë ngjarjen, Lorenc Veliaj do të mbetet në burg për shkak se akuzohet për tre vepra penale të tjera për një ngjarje të mëhershme. Ai ishte në kërkim nga policia dhe falë kësaj ngjarjeje u arrit të vihej në pranga.

Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për Veliajn, i cili akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit si dhe shkatërrim prone.

Për këtë krim makabër, janë arrestuar Bujar Kusi, babai i autorëve të vrasjes, për fshehjen e krimit; Ferdinand Bakallin e Luan Çakën për ‘’moskallëzim të krimit’’ si dhe Edmond Sulën, si bashkëpunëtor në vrasje.

Dy ditë pas ngjarjes tronditëse, vëllezërit Kusi ende nuk janë kapur nga policia.



Skip to toolbar