Plumb kokës për kondicionerin, KSHH: Të hetohen gjyqtarët që lanë të lirë vrasësit

AKTUALITET


Pas ngjarjes së rëndë ku u qëllua për vdekje me një plumb në kokë i riu Indrit Celaj ka reaguar Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili kërkon hetimin e plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë lënë të lirë dy vëllezërit vrasës të cilët janë të njohur për të kaluarën e tyre kriminale.

KSHH kritikon ashpër drejtësinë shqiptare, e cila ka lënë të lirë autorët e krimit, dy vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi, të dy me të shkuar kriminale.


“KShH i sugjeron organeve të rendit që në përputhje me detyrat e parashikuara në ligjin për policinë e shtetit, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve kryesorë të dyshuar të këtij krimi të rëndë. Ngjarja ku mbeti i vrarë shtetasi I.Ç ka ndodhur në një nga zonat afër qendrës së Tiranës, shumë afër institucioneve të policisë së shtetit.

KShH i sugjeron organeve përkatëse të procedimit penal të hetojnë në mënyrë të plotë, të gjithanshme dhe objektive çështjen në fjalë si dhe çështje të tjera ku dyshohet se janë implikuar autorët e krimit.

KShH, në kushtet kur Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nuk është ngritur ende, i sugjeron Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të kenë në vëmendje të veçantë të veprimtarisë, shkeljet e mundshme që mund të jenë kryer nga gjyqtarë dhe/ose prokurorë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e veprave penale për të cilat janë akuzuar në të kaluarën autorët e dyshuar të këtij krimi. Ndërkohë që sipas ligjit nr.115/2016, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”, shkruhet në deklaratën e Komitetit Shqiptarë të Helsinkit.

Griseldo Kusi dhe Albano Kusi janë dy autorët e vrasjes së 26 vjeçarit Indrit Çelaj dhe janë shpallur në kërkim nga policia.

Që të dy kanë qenë më parë të dënuar për vepra të rënda kriminale, për vrasje dhe plagosje.

Albano Kusi është përballur në gjykatë në vitin 2011 me akuzën e vrasjes me dashje të Shkëlqim Nozllit të ndodhur në tetor të vitit 2010. Sipas vendimit të Gjykatës që la në arrest me burg Albano Kusin, motivi i ngjarjes ishte një borxh prej 650 eurosh që i kishte viktima.

Ndërsa vëllai tjetër, Griseldo Kusi në vitin 2011 është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të vrasë Maksut Hysën. Ngjarja ndodhi në fshatin Mnik të Tiranës, ku Griseldo Kusi ka tentuar të vrasë Maksut Hysin.

Ndërsa në janar të vitit 2012, Kusi u perfshi ne nje tjeter ngjarje kriminale ku qëlloi në atentat  26 vjeçarin Boiken Spahiu i cili u qëllua teksa parkonte makinën, dhe një nga plumbat  ka depërtuar në makinë e ka goditur duke e plagosur rëndë.

Ngjarja u klasifikua “vrasje e mbetur në tentativë” ,  dhe policia vuri në pranga Griseldo Kusin.

Por pavarësisht këtyre veprave të rënda penale që të vëllezërit Kusi endeshin të lirë në Tiranë.




Skip to toolbar