Shkarimi i Gentian Osmanit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bëri që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mbetet me 10 anëtar. Ky vakum i anëtarëve të KLP-së, pas largimit të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, duhet të plotësohet me një tjetër anëtar që vjen nga radhët e prokurorisë.
Sipas ligjit, është Prokuroria e Përgjithëshme, Arta Marku, ajo që shpall garën për anëtarin që do të plotësojë 11-shen e Këshillit të Prokurorisë. Po sipas ligjit, pas largimit nga Vettinug të Gentian Osmanit, Marku duhet të kishte hapur garën në datën 2 gusht, por kjo gjë nuk ka ndodhur.
Shkak ka qenë muaji i pushimeve, ndaj, sipas ABC Neës, gara do të hapet në datën 2 shtator, fill pas përfundimit të pushimeve. Ndërkohë, mungesa e anëtarit të 11 sjellë probleme edhe për funksionimin e këtij institucioni, i cili në muajin shtator do të miratojë emrat e katër kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.
Në kushtet aktuale, nuk dihet ende nëse KLP do të pres emërimin e anëtarit të 11 për të marrë vendimin për t`i dërguar parlamentit emrat e katër prokurorëve që do të synojnë postin që aktualisht mbahet nga Arta Marku, apo do të veprojë në mënyrë tjetër.
Sipas ligjit, në rastin kur ka vakancë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, vota e kryetarit të këtij këshilli ka fuqinë e dy votave. Pra, Gent Ibrahimi parimisht mund të zgjidh ngërçin duke përdorur këtë parashikim ligjor, në mënyrë që brenda shtatorit të paraqiten në kuvend emrat që do të votohen për Prokuror të Përgjithshëm.