Strakosha kthehet kuqezi: Kapa avionin!

SPORT


Thomas Strakosha ka dalë të hënën në konferencë për shtyp, ku ka folur për ndeshjen kualifikuese me Francën, që Shqipëria do ta luajë të shtunën në transfertë. Gardiani i portës kuqezi është shprehur se dy ndeshjet e radhës eliminatore janë vendimtare për fatin e kualifikimit në Euro 2020. “Këto 2 ndeshje do të tregojnë nëse do të jemi në garë për t’u kualifikuar apo jo. E dimë të gjithë që janë ndeshje të rëndësishme, por nuk duhet të mbingarkohemi. Duhet të jemi pozitivë, të stërvitemi mirë dhe të shohim çfarë do ndodhi. Të dyja janë sfida të rëndësishme. E ka trajneri në dorë se kush do aktivizohet. Unë ndihem mirë”, ka thënë Strakosha.

Konkurrenca me Berishën është diçka pozitive sipas Strakoshës, ndërsa nuk ka hatër mbetje nëse luan apo jo. “Unë gjithmonë e kam thënë, konkurrenca është pozitive. Njihem me Berishën prej 6 vitesh. Në Kombëtare nuk ka rëndësi kush do luajë, rëndësi ka që ne të fitojmë. Kush luan e ka trajneri në dorë”, ka thënë gardiani.

Futbollisti nuk e ka harruar ende incidentin me ish-trajnerin Panucci, që e la jashtë ekipit pasi Strakosha humbi avionin, ndërsa shprehet ‘shyqyr Zotit’ këtë herë erdha në kohë. “Shyqyr Zotit që kësaj here erdha në kohë. Gjithçka perfekte. Ne kemi kualitetet, këtë gjë e kemi treguar. Tani thjesht duhet të bëjmë një grup të fortë dhe të jemi gjithmonë pozitivë. Vitin e kaluar humbëm grupin që kishim. Vetëm si grup mund të bëjmë diçka të mirë. Po të kemi grupin, kemi shans të kualifikohemi”, ka thënë Strakosha.

Në fund futbollisti ka folur dhe për trajnerin Edy Reja, të cilin e njeh që në vitin e tij të parë te Lazio. Në këtë drejtim, Strakosha shprehet se në skuadër duhet dhënë maksimumi ato 10 ditë që ndodhen nën urdhrat e trajnerit. “Rejën e kam njohur vitin e parë kur isha te Lacio. Unë shikoj që është pozitiv me ne. Për mua kjo është gjëja e rëndësishme. Ne vijmë vetëm 10 ditë me ekipi Kombëtar dhe nuk mund të ndryshojmë shumë gjëra. Çfarë kemi duhet ta japim në fushë. Për mua e bën mirë punën. Këto 2 ndeshjet janë më të rëndësishme. Unë ndihem mirë dhe jam gati! Prandaj jam këtu”, u shpreh Strakosha.



Skip to toolbar