Informaliteti në ndërtim, Denaj: 30 % e punëtorëve të paregjistruar

AKTUALITET


Lufta kundër informalitetit në ekonomi do të vijojë. Pas aksionit të zhvilluar gjatë muajve të verës në bregdet, inspektimet janë shtrirë edhe në zonat në brendësi të qyteteve. Ministrja e Financave Anila Denaj ka inspektuar punimet në disa kantiere ndërtimi në Tiranë. E shoqëruar nga Drejtori i Inspektoratit të Punës, Denaj pa nga afër inspektimet në disa kantiere ndërtimi në kryeqytet. Në prani të saj është bërë bllokimi i një kantieri ndërtimi në një pallat, pasi është gjetur me parregullsi në sigurinë në punë.

“Sa kemi mbaruar një proces inspektimi në të cilën kemi verifikuar shmangien në ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, duke bërë pezullimin dhe mbylljen e kantierit të ndërtimit deri në marrjen e masave për normalizimn e të gjithë procesit”, u shpreh ministrja. Më tej ajo shtoi se kontrollet në ligjshmërinë e bizneseve do të shtrihen në të gjithë vendin, për të luftuar punën në të zezë, por dhe për të mos lejuar ndodhjen e aksidenteve gjatë punës. Sipas Denaj, deri më tani është konstatuar se rreth 30% e punonjësve janë të paregjistruar në sektorin e punës, duke kërkuar që këtij informaliteti ti vihet fre.

“Një fokus i veçantë po realizohet edhe nga inspektorati i punës në atë që eliminon aksidentet në punë. 30% e punonjës janë të paregjistruar në sektorin e punës, ne duhet ti vendosim fre këtij informaliteti. Gjobat janë 0-50 fish e rrogës bazë, por ky nuk është objektivi jonë. Procesi do të vijojë i fokusuar muajin shtator te firmat e ndërtimit për të eliminuar sidomos aksidentet në punë. Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin me bashkitë të na vendosin në dijeni që t’u paraprijmë masave” tha ajo. Ministrja u ka kërkuar inspektorëve të punës që të jenë më të kujdesshëm me inspektimet, jo vetëm në vlerësimin e zbatimit të kritereve të sigurisë në punë, por edhe të cilësisë së punimeve.



Skip to toolbar