Basha-Kryemadhi, asnjë reflektim: Protesta të fuqishme, “Rama Ik”

AKTUALITET


Aksioni opozitar do të vijojë të mbajë emrin “Rama IK”. Këtë njoftuan të mërkurën dy drejtuesit e koalicionit opozitar, Monika Kryemadhi e LSI-së dhe Lulzim Basha i PD-së pas takimit që zhvilluan në selinë blu.

Megjithëse pritej që ata të ofronin diçka të re pas pushimeve 2 mujore, por edhe pas premtimeve se në shtator do të nisë një aksion i ri opozitar, e kundërta ndodhi. Basha dhe Kryemadhi dolën para gazetarëve dhe përsëritën të njëjtin refren: Rama IK.


“Aksioni opozitar do të vazhdojë i drejtpërdrejtë, evidentues për të zgjuar çdo qelizë të shqiptarëve që po margjinalizohen për shkak të varfërisë. Votimet e 30 qershorit treguan se 85% nuk e duan Edi Ramën dhe largimi i tij është një kusht që e kërkojnë shqiptarët.

E rëndësishme është që çdo ditë shqiptarët protestojnë. Sepse mbajnë çdo ditë rradhën me bidona uji”, tha Kryemadhi pas takimit që zhvilloi me Bashën.

Ndërsa ky i fundit akuzoi qeverinë se përmes rrëzimit të dekreteve të Metës për dy koncesionet për ndërtimin e segmenteve Milot Balldren dhe Orikum-Dukat synon të vjedhë shuma të mëdha parash, ndaj dhe largimi i Ramës është dosmodoshmëri.

“Skandali me PPP-të Milot-Balldren dhe Dukat-Orikum, bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive. Ata duan që shqiptarët të paguajnë një çmim 45 herë më të lartë se çmimi real. Të vjedhin mbi 200 milionë euro nga shqiptarët. Për këtë arsye u rrëzuan dekretet e Metës”, tha Basha i cili akuzoi parlamentin se është kthyer në noter të hajdutërisë së Ramës.

Siç duket nuk ka asnjë reflektim nga liderët e opozitës. Ata vazhdojnë serinë e akuzave kundër qeverisë dhe vijojnë në kërkesën për largimin e Ramës, por nuk japin asnjë ide sesi do të vijojë aksioni i opozitës në vijim. Të dy si Basha ashtu edhe Kryemadhi i janë shmangur kërkesës së vazhdueshme të Metës për zgjedhje në 13 tetor. Kjo është data që i ndan të dy krerët e opozitës për shkak se PD nuk është për zgjedhje në 13 tetor, ndërsa Kryemadhi mbështet dekretin e bashkëshortit të saj. Një ditë më herët Edi Paloka zbuloi se PD po bëhet gati për zgjedhje me Ramën në pranverë duke rrëzuar të gjithë aksionin opozitar të 7 muajve të fundit./Realstory.al




Skip to toolbar