Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me arrestimin e 15 biznesmenëve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Me anë të një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se ka arrestuar 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme në kuadër të operacionit “Informaliteti”. Konkretisht personat e arrestuar janë: Shpresa Joanidhi- Kandidate e PD-së për deputete në qarkun e Gjirokastrës, bashkë-ortake te SHPRESA AL; Besnik Pelivani- Administrator i kompanisë së ndërtimit A.B.BE; Astrit Lala- Ortak i kompanisë ‘LEKSI SECURITY ’; Fatmir Firi – Administrator i kompanisë ARB & TRANS 2010; Paqsor Buzi- Pronar dhe administrator i firmës GPG Company; Vangjush Mbirce; Rabi Kurti; Riza Roshi; Haxhi Sala- Pronar i kompanisë ‘LEKSI SECURITY’; Ilia Dimo; Ardian Bejko; Mhill Ndreca; Rrapo Baduni; Albert Ahmeti; Shkëlqim Prodani, ndërsa dy persona të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë.
Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë pasi këta persona, sipas policisë, me aktivitete të ndryshme ekonomike si: Ndërtime konstruksion godinash, ndërtime të ndryshme, import, eksport, tregëtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrial, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive në total në vlerën 182.677.020 lekë me TVSH 25.704.243 lekë të reja. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi.
Nga analizimi i librave të blerjes rezultoi se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka berë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor. Në kuadër të këtij proçedimi janë shpallur disa shtetas në kërkim, ku për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjëra. Materialet proçeduriale ju kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave”.