Akuzon për ‘fake news’, por LSI përgënjeshtron veten: Mamani ka qenë kryetar partie

AKTUALITET


Mëngjesin e të dielës, Policia e Gjirokastrës njoftoi arrestimin e shtetasit Armand Mamai, ish-drejtor i Agjencisë së Mirëqënies dhe Kujdesit Social në Gjirokastër. Ky shtetas është arrestuar pasi dyshohet se ka vjedhur energji elektrike. Sapo lajmi u bë publik për arrestimin Mamanit, dolën dhe detaje të tjera.

Mediat shkruan se Armand Mamani ka qenë kryetar i LSI në qytetin e grutë, por Lëvizja Socialiste për Integrim e përgënjeshtroi lajmin me një deklaratë të bërë në orën 13:59 minuta. “LSI sqaron median dhe opinionin publik se Armand Mamani nuk ka qenë asnjëherë kryetar i LSI në Gjirokastër”, shkruante LSI në deklaratën e parë.


Mirëpo, në orën 16:39 minuta, zyra për shtyp e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dërgon për mediat një tjetër deklaratë, ku korrigjon deklartën e parë, në lidhje me drejtorin e arrestuar në Gjirokastër. “LSI sqaron median dhe opinionin publik se Armand Mamani nuk është aktualisht kryetar i LSI në Gjirokastër”, shkruan në deklaratën e dytë LSI, duke pranuar se Armand Mamani ka qenë kryetar i kësaj partie.

Ajo që bie në sy, në të dyja deklaratat, është fakti se LSI akuzon mediat për “Fake News”, por ishte po vetë ajo që prodhoi një lajm të rremë, duke mohuar ekzistencën e Armand Mamanit si kryetar i LSI në Gjirokastër. “LSI po ashtu përgënjeshtron prerë lajmet se arrestimi i tij është bërë në ambientet e kampit të Jalës si një fake news bajat dhe i sajuar”, shkruante LSI në të dyja deklaratat, si te ajo e mohimit dhe te ajo e përgënjeshtrimit.

Kështu, Lëvizja Socialiste për Integrim pranon zyrtarisht se drejtori i arrestuar në Gjirokastër, ka qenë pjesë e strukturave të kësaj partie, por jo vetëm, Armand Mamani ka drejtuar këtë parti në qytetin jugor, madje duke mbledhur dhe aq vota sa LSI ka nxjerr dhe deputet në këtë qark.




Skip to toolbar