Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se ka shkarkuar nga detyra Këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare, John Bolton. Përmes një mesazhi në twitter, Trump deklaron se e ka shkarkuar Bolton për shkak se ‘ai nuk ishte dakord me shumicën e sugjerimeve të tij.”
“I kërkova John-it dorëheqjen e tij dhe ma dorëzoi këtë mëngjes. E informova Bolton, mbrëmjen e kaluar se nuk kam më nevojë për shërbimet e tij në Shtëpinë e Bardhë. Unë isha kundër për shumë nga sugjerimet e tij, po ashtu edhe pjesëtarë të tjerë të administratës, prandaj…” shkruan Trump në twitter.
Por duket se këtë version të presidentit Trump e ka hedhur poshtë vetë Bolton, i cili përmes një twitteri sqaron se në fakt ishte ai vetë që dha dorëheqjen dhe nuk ia kërkoi Trump.
“ Unë e ofrova dorëheqjen time mbrëmjen e djeshme dhe presidenti Trump më tha “flasim për këtë çështje nesër” shkruan Bolton.
John Bolton, 70 vjeç, u emërua nga Trump në prill 2018, si këshilltari i tretë i Trump për Sigurinë Kombëtare që nga zgjedhja e tij në 2016. Bolton ka qenë një nga personat që ka kërkuar ndërhyrje ushtarake për disa nga çështjet botërore shumë të diskutuar si rrëzimi i regjimit të Iran, Korenë e Veriut dhe Venezuelë. Bolton njihet edhe si ideatori i “planit për ndarjen e Kosovës”. Ai kishte qenë një nga zërat e rrallë amerikanë që kishin folur publikisht kundër pavarësisë së Kosovës.