Renditen 6 kandidatët, zgjidhet ngërçi për Kushtetuesen (dhe shkarkimin e Metës)

#NËRADAR


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar renditjen e gjashtë kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, renditje që zgjidh përfundimisht ngërçin, pavarësisht të gjithë skenarëve të mundshëm për bllokim nga kreu i shtetit. Sipas të gjitha procedurave, minimalisht 5 prej 6 kandidatëve do të jenë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke iu bashkuar anëtares së vetme Vitore Tusha dhe duke bërë kështu kuorumin minimal për të marrë vendime të çështjeve në themel prej 2/3 të anëtarëve të Kushtetueses.

Pikët për kandidatët


Në një njoftim për media, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka bërë publik rezultatin paraprak të pikëzimit për secilin kandidat, ku rezulton se Arta Vorpsi, e cila kandidon për katër vakanca ka zënë vendin e parë.

1 – Arta Vorpsi, 89.610 Pikë

2 – Fiona Papajorgji, 88.783 Pikë

3 – Elsa Toska, 85.425 Pikë

4 – Marsida Xhaferllari, 81.999 Pikë

5 – Besnik Muçi, 81.926 Pikë

6 – Regleta Panajoti, 80.284 Pikë

Sipas njoftimit zyrtar, në mbledhjen e ardhshme të KED do të shqyrtohen dhe miratohen lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve nga mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organeve të emërtesës, Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, do t’i dërgohen listat përfundimtare të renditjes së kandidatëve dhe raportet e arsyetuar të Këshillit, ku përmbahet analiza tërësore lidhur me plotësimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve ligjore për secilin kandidat, si edhe për procedurën e ndjekur për vlerësimin dhe renditjen e tyre, për secilin vend vakant.

Por, kjo lloj renditje sjell edhe zhbllokimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht të gjithë skenarëve të mundshme për bllokimin e saj në rast të zgjedhjes së të njëjtit kandidat nga të dy institucionet përkatëse, Presidenti dhe Kuvendi.

Si ndodh kjo?

Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendi, një muaj pasi marrin në dorë renditjen e kandidatëve duhet të zgjedhin një nga tre kandidatët e parë sipas renditjes për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ata nuk zgjedhin, automatikisht zgjidhet kandidati i renditur i pari në listë. Nga ajo që vihet re rezulton se Regleta Panajoti humb mundësinë për të qenë anëtare në Gjykatën Kushtetuese, pasi në dy rastet për vakancat e shpallura nga Presidenti dhe Kuvendi është renditur e katërta dhe automatikisht nuk merret në konsideratë për emërim.

I pari që duhet të zgjedhë rezulton se është kreu i shtetit për vakancën e shpallur prej tij më 7 shkurt 2018.

Për këtë vakancë kanë konkurruar sipas renditjes, Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti. Meta duhet të zgjedhë një nga kandidatët Vorpsi, Toska dhe Muçi. Nëse ai nuk zgjedh Vorpsin duhet të japë argumentet përse është bërë zgjedhja e tij për një nga dy kandidatët e tjerë. Por nëse zgjedh Vorpsin, ajo do të hiqet nga lista për vakancat e tjera ku ka konkurruar, të shpallura si nga Presidenti, ashtu edhe nga Kuvendi. E njëjta ndodh edhe nëse Presidenti zgjedh ndonjë kandidat tjetër. Kjo sjell uljen e numrit të kandidatëve për vakancën e radhës.

Konkretisht 6 kandidatët kanë konkurruar për 7 vakanca të shpallura në total, 4 nga Presidenti dhe 3 nga Kuvendi.

1- Vakanca e shpallur nga Presidenti më 07.02.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë

Elsa Toska 85.425 Pikë

Besnik Muçi 81.926 Pikë

Regleta Panajoti 80.284 Pikë

2 – Vakanca e parakohshme e shpallur nga Presidenti më 07.02.2018

Besnik Muçi 81.926 Pikë

3 – Vakanca e shpallur nga Kuvendi më 12.02.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë

Elsa Toska 85.425 Pikë

Besnik Muçi 81.926 Pikë

Regleta Panajoti 80.284 Pikë

4 – Vakanca e shpallur nga Presidenti më 04.03.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë

5 – Vakanca e shpallur nga Kuvendi më 04.03.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë

6 – Vakanca e shpallur nga Presidenti më 04.03.2019

Fiona Papajorgji 88.783 Pikë

Elsa Toska 85.425 Pikë

7 – Vakanca e shpallur nga Kuvendi më 04.03.2019

Fiona Papajorgji 88.783 Pikë

Elsa Toska 85.425 Pikë

Marsida Xhaferllari 81.999 Pikë

Duke parë renditjen dhe konkurrimin për secilin vend vakant rezulton se të pestë gjyqtarët e renditur të parët nga KED do të zgjidhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, sipas të gjithë skenarëve të mundshëm.

Shembull skenari

1- Vakanca e shpallur nga Presidenti më 07.02.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë (Zgjidhet e para në listë)

2 – Vakanca e parakohshme e shpallur nga Presidenti më 07.02.2018

Besnik Muçi 81.926 Pikë (i vetmi në listë, zgjidhet i dyti pas Vorpsit)

3 – Vakanca e shpallur nga Kuvendi më 12.02.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë (e zgjedhur)

Elsa Toska 85.425 Pikë (zgjidhet e treta, pasi Vorpsi u zgjodh nga Presidenti)

Besnik Muçi 81.926 Pikë (i zgjedhur)

Regleta Panajoti 80.284 Pikë

4 – Vakanca e shpallur nga Presidenti më 04.03.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë (Rrëzohet se s’ka kandidat)

5 – Vakanca e shpallur nga Kuvendi më 04.03.2018

Arta Vorpsi 89.610 Pikë (Rrëzohet se s’ka kandidat)

6 – Vakanca e shpallur nga Presidenti më 04.03.2019

Fiona Papajorgji 88.783 Pikë (Zgjidhet e katërta)

Elsa Toska 85.425 Pikë (e zgjedhur)

7 – Vakanca e shpallur nga Kuvendi më 04.03.2019

Fiona Papajorgji 88.783 Pikë (e zgjedhur)

Elsa Toska 85.425 Pikë (e zgjedhur)

Marsida Xhaferllari 81.999 Pikë (Zgjidhet e pesta në listë)

Realstory.al ka verifikuar të gjithë skenarët e mundshëm, por në asnjë prej tyre nuk mund të bllokohet zgjedhja e të paktën 5 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët do t’i shtohen Vitore Tushës, duke formuar kështu Gjykatën Kushtetuese me 6 anëtarë. Por me këtë, duke u bazuar në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga më në fund shqyrtimit të çështjeve në themel, siç është rasti i padisë nga bashkitë e djathta për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, të cilat kanë njohur dekretin e Metës, por edhe vendimit të pritshëm të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të Kushtetutës. Sipas ligjit, Kolegji duhet të ketë të paktë2/3 e anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të pranishëm për të shqyrtuar çështje në themel. Pas mbledhjes së ardhshme të KED, listat do t’i shkojnë Kuvendit dhe Presidentit dhe brenda muajit merr fund odiseja për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. /Realstory.al/




Skip to toolbar