Kryeminisri Edi Rama ka folur në një intervistë për Tv Klan, duke prekur disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit politik, dhe jo vetëm, në vend. Fillimisht, shefi i qeverisë ka folur për hapjen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Në deklaratën e tij, Rama ka preferuar të jetë i rezervuar, duke u shprehur se nëse do të hapen ose jo negociatat, “këtë do e marrim vesh në 18 tetor”. “Këto do e marrim vesh në 18 tetor dhe pse jemi në fund të rrugë. Por dhe pse është ende shumë e gjatë ka dhe shumë vendime për të marrë.”
Kreu i qeverisë, duke nisur prej muajve të verës, ka anashkaluar pothuajse çdo akuzë politike ndaj kundërshtarëve. Në rrjetet sociale, çdo ditë, kreu i qeverisë ka zgjedhur të publikojë punë të ndryshme të bëra në qytete të vendit, nga rikonstruksioni i qendrave urbane, te spitalet, shkollat, çerdhet, rrugë, apo dhe mesazhe të qytetarëve që u janë zgjidhur problemet pasi kanë kërkuar ndihmë në portalin qeveritar.
Për herë të parë, Rama ka pranuar se kjo është një strategji e re e komunikimit të tij publik, duke u shprehur se nuk do të thotë më asnjë fjalë për të tjerët, pasi e quan kohë të humbur. “Do dëgjoni gjithmonë dhe më pak nga unë fjalë në lidhje me të tjerët. Nuk më interesojnë sepse është kohë e humbur është energji e shpenzuar kot”, ka thënë Kryeministri. Më tej, gjatë fjalës së tij, Rama ka përsëritur qëndrimin se mbetet me dorën shtrirë ndaj opozitës për dialog, jo vetëm për Reformën Zgjedhore, por për shumë aspekte të jetës së vendit.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të ndërveprojmë me të gjithë qoftë më opozitën në parlament apo opozitën jashtë parlamentit. Jo vetëm për reformën zgjedhore, por për çdo aspekt të jetës së vendit që kërkon vëmëndje”. Në fund, Rama është shprehur se shkarkimit të Ilir Metës do ti shkohet deri në fund. “Kjo shumicë qeverisëse nuk është krijuar për të bërë presione ndaj askujt. Procesi në fjalë është një proces dhe tani është në dorë të parlamentit”, ka thënë Rama, ndërsa është shprehur se për Shkodrën ende nuk është gjetur një zgjidhje.