Partizani udhëton drejt Vlorës për ndeshjen e radhës në kampionat. Kryesuesit aktual të Superligës presin me padurim të konfirmojnë matematikisht titullin kampion për këtë sezon, që so i jepte fund “thatësirës” mbi 25 vjeçare të “demave” pa trofeun e titullit.
Veç lojës në fushë, Partizani këtë sezon ka shkëlqyer dhe në tribuna, me tifozët “Ultras Guerril”, që i kanë mbështetur në çdo ndeshje futbollistët e “të kuqve”. Edhe udhëtimi drejt Vlorës do të ketë një prani të madhe tifozësh, gjë të cilën e kanë lajmëruar vetë “Guerrils”.
“Java e ardhshme luhet në transferte, ndeshje pas ndeshje numri i tifozeve po rritet, dhe të gjithëve bashkë na pret një organizim dhe një angazhim më i madh, na mungojnë edhe 8 pikë në 5 ndeshje. Nuk ka kohë për fjalë por është koha për organizim dhe mobilizim të fuqishëm”.
“Vazhdojmë që tani thirrjet për një nga 3 transfertat e fundit, që sigurisht do jenë më të bukurat e sezonit. Emocionet vetëm po shtohen, adrenalina gjithashtu, zëri kënga dhe mbështetja jonë duhet të marrë trajta të tjera, jashtë të zakonshmes”
“Ndaj bëhuni gati, tifozë të rinj e të vjetër, ky është momenti i gjithsecilit nga ne për të dhënë më shumë se çdo herë, ky është momenti për të sakrifikuar gjithçka dhe për t’i dedikuar gjithë vëmendjen dhe përkushtimin”.
“Së bashku ta marrim titullin dhe së bashku ta festojmë rikthimin e Partizanit atje ku i takon, në majën e futbollit shqiptar… Forca Partizan! Forca tifozë!”, – përfundon njoftimi në Facebook.