Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, që deputetët duhet të shpërndahen në qytetet e prekura nga tërmeti, për të takuar der më derë banorët, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka shkuar në zonën e Porto Romanos në Durrës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj ka treguar dramën e një kryefamiljari në këtë zonë, të cilit i janë shembur tre shtëpi. Bëhet fjalë për Zef Balën, kryefamiljari që sipas Ministrit të Brendshëm, ka një dramë më vete që duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet.
“Në Porto Romano, Zef Bala ishte më i prekuri nga dëmet. “Shtëpia” e tij ishte shumë e rrezikuar. Pothuajse e urdhërova të zhvendoset në Shtëpinë e Pushimit të MB, pa ndonjë gjasë që mund të kthehet më aty ku është. Dy shtëpi kishte ndërtuar vetë deri tani dhe të dyja i ishin shembur. Kjo e treta i kishte themelet në ajër. Një dramë më vete që duhet zgjidhur. Dhe do të zgjidhet”, ka shkruar Sandër Lleshaj në rrjetet sociale.
Durrësi është qyteti më i prekur nga tërmeti i të shtunës që goditi vendin. Dhjetra banesa private e shumë pallate janë dëmtuar nga lëkundjet e tokës, ndërsa disa prej tyre janë bërë të pabanueshme. Kryeminsitri Edi Rama dhe një pjesë e rëndësishme e Ministrave, kanë shkuar në terren në Durrës ku po takojnë banorët e prekur nga tërmeti. Për qytetarët, të cilëve u janë dëmtuar banesat, është ngritur një kamp me çadra ushtrie në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa është hapur dhe kavalishenca për qytetarët me fëmijë dhe të moshuarit.