Reforma zgjedhore, BE “i jep duart” PD për strukturën e posaçme

POLITIKË


Bashkimi Europian ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një strukturë të posaçme jashtë parlamentit për diskutimin e reformës zgjedhore me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Zëdhënësja e BE, Maja Koçiajançiç është shprehur se kjo çështje nuk i takon BE-së, por palëve politike në vend. Për Koçiajançiç, e vetmja zgjidhje për ecjen përpara me reformën zgjedhore, është që palët politike të zhvillojnë një dialog gjithëpërfshirës dhe konstruktiv.

Nuk i takon Bashkimit Europian që të përcaktojë ose të bëjë komente mbi strukturën që duhet të përdoret për të lehtësuar konsultimet dhe më tej reformën zgjedhore. BE rithekson nevojën që të gjithë aktorët politikë të demonstrojnë gatishmëri të vërtetë për të kontribuar, përmes dialogut konstruktiv dhe të avancojnë punën për reformën zgjedhore” tha Koçiajançiç për A2 CNN.

Ngritja e një strukture të posaçme u hodh si ide e PD përmes përfaqësuesit të saj Ivi Kaso në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE. Kjo strukturë sipas PD kërkon pjesëmarrjen e PS, PD dhe ndërkombëtareve (OSBE, BE dhe SHBA) për të diskutuar për reformën zgjedhore, por pa praninë e opozitës parlamentare.

Kjo kërkesë u hodh poshtë nga OSBE e para, përmes ambasadorit Broschard, i cili u shpreh i zhgënjyer dhe tha se OSBE nuk mund të qeveris vendin, ndërsa pak orë më vonë edhe nga kryeministrit Rama gjatë një interviste në New York, i cili tha se nuk ka nevojë për “përkthyes për të diskutuar për reformën zgjedhore”. Duket se dhe BE është në të njëjtë linjë ku deklaron se kjo çështje është e brendshme dhe nuk i takon asaj, por palëve politike.

Nga kërkesa e PD për ngritjen e strukturës së posaçme, solli edhe reagimin e ashpër të opozitës parlamentare e cila bojkotoi tryezën për disa orë. Opozita parlamentare është një faktor i rëndësishëm në miratimin e ndryshimeve në Kuvend të reformës zgjedhore dhe duket se ato janë të vendosur të kërkojnë një ndryshim të sistemit elektoral dhe një reformë e bërë me “arna” apo “makijazhe”, deklaratë të cilin e bënë të qartë dhe nga studio e emisionit Real Story.



Skip to toolbar