Gjiknuri, Basha e do në burg, por e mbron Mediu

#NËRADAR


“Asnjë komision parlamentar, i drejtuar nga individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore”, ishte një nga kushtete e Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës, për hartimin e Reformës Zgjedhorem, publikuar të mërkurën. Pra, thënë ndryshe, Basha nuk do Damian Gjiknurin (të cilin e akuzon për vjedhje të votave në Dibër), që të jetë pjesë e Komisionit të Hartimit të Reformës Zgjedhore. Por a janë të gjithë aleatët dakord me Bashën? Përgjigjen e jep Fatmir Mediu. Në një intervistë për Report Tv, pasi përfundoi mbledhjen me Bashën dhe aleatët e tjerë të opozitës, Fatmir Mediu shprehet se, “largimi i Gjiknurit nuk është kusht”.

Sipas tij, Damian Gjiknuri është ekspert i Reformës Zgjedhore, ndërsa lidhur me akuzat për vjedhjen e votës, sipas Mediut, “kjo është çështje që i takon gjykatave ta gjykojnë”. “Nuk kam paragjykime për kundërshtarin tim, as nuk bëj rolin e gjyqtarit, nëse ka një çështje të ngritur janë ato që vendosin.  Nuk është kusht, nga pikëpamja e moralit është e drejtë. Një dialog është një marrëdhënie besimi. Gjiknuri ka qenë ekspert i Reformës Zgjedhore dhe mbetet për t’u parë kontributi i gjithë secilit”, tha Mediu.

Më tej, Mediu është shprehur se opozita duhet të diskutojë me PS për përshpejtimin e Reformës Zgjedhore. “Patjetër që duhet të diskutojmë me PS për përshpejtimin e Reformën Zgjedhore, në Drejtësi dhe problematika të tjera që ka Shqipëria. Janë kushte ndaj qeverisë dhe opsione të opozitës për zgjidhje. Unë mendoj që ajo që i ka munguar Ramës është serioziteti për të vlerësuar nevojën për një dialog dhe të dëgjojë qëndrimet e ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët duan dialog të qenësishëm, pra që opozita të ketë të qartë zgjidhjen e problemeve. Nëse flasim për dialog politik, duhet të trajtojmë problemet tona dhe problemi ynë nuk është vetëm Reforma Zgjedhore. Ka disa elementë të tjerë”, tha Mediu.



Skip to toolbar